Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, teksa ka shprehur edhe mbështetjen për protestën studentore. Gjatë takimit me kryetarët e degëve të Tiranës, kreu i selisë blu u kërkoi të gjithë shqipatrëve që të mbështesin studentët. Sipas tij kjo është një orë shumë e rëndësishme dhe vendimtare e historisë.
“Unë duhet të përgëzoj të gjithë drejtuesit, anëtarët, mbështetësit e PD, të cilët kanë qenë dje dhe sot kanë mbështetur studentët.
Një rol të veçantë, siç e keni parë edhe vetë, dhe i përgëzoj, në mbrojtje të studentëve kanë luajtur deputetët e PD.
Edhe në sheshbetejë, edhe në komisariate.
Mendoj se ka qenë një qëndrim i duhur, pasi ne këtë protestë, ne këta studentë do i mbështesim me të gjithë potencialin tonë.
Edi Rama nuk do ndeshet vetëm me studentët, do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët.
Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë.
Duhet të përgëzoj forumin rinor të universiteteve, të cilët kanë qenë shumë efiçent dhe me angazhimin e tyre kanë dhënë një kontribut vërtet të çmuar.
Këto janë dy ditët e para. Sot Edi Rama, që më në fund doli nga vrima e miut ku ishte futur, filloi dhe po akuzon armiq që kanë penetruar te studentët e të tjerë me radhë.
Unë në mënyrë më të prerë i kërkoj atij dorëheqjen e menjëhershme.
Dhe i bëj thirrje shqiptarëve të angazhohen me gjithë mundësinë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Ai mendon se kjo protestë nuk dallon nga protestat e tjera.
Gabon shumë rëndë.
Kjo është protesta kur është mbushur kupa.
Shqiptarët kanë katër muaj që protestojnë.
Por protesta studentore është protesta e kupës së mbushur.
Nuk ka ku të shkojë.
Studentët, siç e shihni, janë shumë të kthjellët, shumë të guximshëm.
Por studentët, Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë që PD të bëjë çdo për mbrojtjen e tyre.
Të bëjë çdo gjë për mbështetjen e tyre.
Kjo është një orë shumë e rëndësishme e historisë.
Kjo është një orë vendimtare”.
