Grupi organizator i protestës ka dalë me kërkesat e plota drejtuar qeverisë në ditën e 23-të të tubimit. Një nga folësit në podium ka reshtuar kërkesat, ku mes të tjerash përfshihet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i qeverisë teknike, e cila duhet të jetë jopartiake dhe ndryshimet kushteteuse.

“Sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës. Në emër të grupit koordinues, duke dëgjuar propozimet e sovranit, dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe gjithë bashkëkombasit se kjo protestë kërkon:

  1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.
  2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
  3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:
  • ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
  • ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;
  • kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

  • Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.
  • Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
  • Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.
  • Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.
  • Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.

Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre”, tha një nga organizatorët.