
Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST, bën me dije se për shkak të kushteve shumë të ashpra të motit, veçanërisht në veri të vendit ka pasur defekte në linjat e transmetimit të energjisë elektrike, konkretisht linja 110 kV Kalimash – Kukës, e cila ka lënë pa furnizim qytetin e Kukësit dhe rrethinat e tij.
OST thotë se ekipet e specialistëve vazhdojnë punën pa ndërprerje në terren, duke ezauruar çdo mundësi për rikthimin e furnizimit me energji të kësaj zone.
“Në një rast u ballafaquam me kalimin në hipotermi të specialistit të linjave, Ramadan Hallaçi, 57 vjeç, Mbi 25 vjet teknik linjash. Punonjës i Njësisë Operative Shkodër, pjesë e OST
Mbrëmë ishte në detyrë në brigadën e Kukësit, ku pasi riparoi pjesën e parë të linjës 110 kV Kalimash – Kukës të dëmtuar nga dëbora, vijoi punën për pjesën tjetër të linjës, mbi 20 km të gjatë.
Pas më shumë se 7 orë punë në shtyllë dhe në terren të vështirë, në zonën e Qaf Malit, me temperaturë -9* celsius, punonjësi pësoi hipotermi. Aktualisht po kurohet në spitalin e Kukësit dhe është jashtë rrezikut për jetën”, njofton OST.
6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)