Një ngjarje dramatike është shënuar në Parkun Kombëtar të Shebenikut, ku katër alpinistë francezë mbetën të bllokuar në mal për disa orë gjatë natës.
Të huajt, të cilët kishin zgjedhur të eksploronin malet pa guidë dhe duke u orientuar vetëm me aplikacionin “Google Maps”, humbën rrugën në zonën e Fushë-Studenit. Pa drita, të lodhur dhe të frikësuar, ata nuk arritën të gjenin më rrugën e kthimit.
Në ndihmë të tyre shkoi Gent Gjini, i cili pa hezitim mori përsipër shpëtimin. Ai u bashkua me banorë të zonës dhe së bashku nisën kërkimet në errësirë të plotë. Pas 5 orësh ecje të vështirë në terren malor, ata arritën t’i lokalizonin francezët dhe t’i nxirrnin në vend të sigurt.
Alpinistët e shpëtuar, të emocionuar, falënderuan shpëtimtarët e tyre shqiptarë duke i përqafuar dhe duke e cilësuar natën si një përvojë që nuk do ta harrojnë kurrë.
Kjo ngjarje tregon edhe një herë kontrastin mes natyrës së ashpër të Shqipërisë dhe zemrës së madhe të njerëzve të saj, që nuk ngurrojnë të japin ndihmën edhe në rrethana të rrezikshme.