Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Sarandë, ku një 15-vjeçare u hodh nga kati i katërt për shkak se bullizohej.

Babai i të miturës, në një intervistë për gazetaren e “Shqipëria Live”, Semiljana Azizi zbuloi bisedën që ka zhvilluar me të bijën pas ngjarjes së rëndë. Ai tregoi se vajza i kishte thënë vëllait se një shoqe e klasës e kishte ironizuar dhe kjo e kishte prekur. Po ashtu, ai shton se parasë të hidhej, vajza ka parë një mesazh në telefon.

“Dje sapo erdhi nga shkolla, ndodhi kjo. Kur erdhi i tha të vëllait, vëllait të madh 18-vjeçar, që një vajzë e kishte ironizuar dhe tallur bashkë me një shok tjetër. Ajo ishte shumë e prekur, nuk hëngri as bukë. Teksa djali po gatuante, vajza u shtri në shtrat, po hante patatinë dhe po përdorte telefonin. Në momentin që erdhi bashkëshortja ime, dëgjuam zhurmë. Ajo pa jashtë dhe pa se vajza ishte hedhur. Vajza ishte përplasur fillimisht tek streha dhe kabllot dhe më pas ra në asfalt. Fati i saj ishte që kishte tela rrobash dhe që fqinji poshtë ka vendosur strehë për ballkonin. Pesha i ra mbi strehën dhe më pas në asfalt. Fatmirësisht vajza është shumë mirë.

Di që vajza ka parë një mesazh, pro nuk e pashë sepse telefoni ishte i thyer. Kur e pyeta më tha se një vajzë në klasë e shikonte me inat dhe i thoshte që ‘Je shumë e shpifur, e keqe…’. I thashë që të mos i merrte në konsideratë ato fjalë dhe që ishte krenaria ime. Kur ra e ndihmuan disa gra deri sa erdhi ambulanca. Kur e pyeta se përse ndodhi ngjarja, ajo më thoshte vetëm mos qaj.

Unë u bëj thirrje të gjithëve atyre prindërve që kanë fëmijë në moshën e vajzës time ,të mos shajnë e ofendojnë sepse ndodhin gjëra të tilla shumë të rënda. Bullizmi është një rrezik. Do e transferoj në një shkollë në Elbasan sepse nuk mund ta lë më aty. Sot u hodh nga ballkoni por nesër mund të shkojë në det të mbytet dhe unë i qëndroj si polic. Shteti duhet të kontrollojë shkollat, psikologu të jetë funksional jo vetëm për të marrë rrogën”– tha ai.