Hematologjia
Shoqata e Pacientëve, kërkesë Tavos dhe Hanës
Lorina Mixha
Lista e barnave me rimbursim e këtij viti, për pacientët por edhe për moshën e tretë, nuk ishte më e mira e pritshme nga të sëmurët në vend. Madje, për disa sëmundje të vështira, për trajtimin e të cilave kërkohen shifra të mëdha parash, një pjesë e mirë e pacientëve që nuk arrijnë t’i sigurojnë privatisht, mbetën të zhgënjyer nga mundësitë e rimbursimit për vitin 2012.
Edhe ata qytetarë që nuk kanë probleme financiare e kanë tepër të vështirë për të përballuar koston që kërkohet për të kuruar sëmundjen, për të përmirësuar jetesën apo për të shtyrë vitet e jetës. Në vendin tonë, të sëmurët që vuajnë nga tumoret në gjak, leucemia, mund të trajtohen në shërbimin e vetëm kombëtar, atë të Hematologjisë, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Ata vijnë kryesisht nga rrethet dhe për shkak të gjendjes ekonomike të familjeve të tyre nuk mund të blejnë privatisht ato kura që sot në botë janë të rimbursueshme nga shteti.
Shpëtim Xhafa, kreu i Shoqatës së të Sëmurëve me Hematologji, pasi ka humbur gruan, për shkak të kësaj sëmundje, ka marrë në patronazh pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje për t’i ndihmuar.
Nisma e tij e fundit është lobimi në të gjitha institucionet shtetërore për të siguruar rimbursim të pacientëve me tumore për trajtimin e tyre. Në takimet me drejtues të Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, por edhe me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, kërkesa e tij kryesore ka qenë për të përfshirë në listën e barnave me rimbursim medikamente të cilat u shtyjnë jetën pacientëve të sëmurë, përmirësojnë cilësinë e jetës, por edhe i shëron ata të sëmurë, që e kanë tumorin në faza fillestare.
“Ministria e Shëndetësisë, por të gjithë përfaqësuesit e këtij sektori që janë të lidhur me përcaktimin e kostove të rimbursimit, u kërkojmë të përfshijnë në listën e re barna të cilat u shpëtojnë jetën të sëmurëve. Të vendosin dorën në zemër dhe t’u japin kurën që u shëron sëmundjen pacientëve, të mos i lejojnë ata të vdesin”, tha Shpëtim Xhafo, kreu i Shoqatës së Pacientëve me Leucemi. Atij i ka mjaftuar historia e gruas së tij, e cila vdiq 42 vjeçe, për shkak të sëmundjes, për të lexuar artikuj dhe enciklopedi botërore për t’i ardhur në ndihmë pacientëve, si dhe për të kërkuar nga autoritetet trajtime të fundit të shkencës, të cilat, në vendet perëndimore, kanë ndihmuar pacientët të mos vdesin.
“Rezulton se një pjesë e mirë e pacientëve që trajtohen në spital, pas konsultës së mjekëve dhe specialistëve kanë nevojë për një medikament më shumë efikas për të luftuar sëmundjen, por edhe për t’i shpëtuar vdekjes. Barna të tilla që përdoren në botë duhet të rimbursohen edhe për shqiptarët. Njerëz janë ata, njerëz jemi edhe ne. Nëse gruaja ime do të kishte marrë një trajtim të tillë, siç përdoret në vendet e zhvilluara, ajo nuk do të kishte humbur jetën. Nuk do të kishim arritur deri te transplanti… Rasti i gruas sime duhet të ndihmojë dhjetëra pacientë që sot në Shqipëri janë me halle, kanë për të rritur fëmijë, të mos vdesin”, tregon Xhafa. Kreu i Shoqatës së Pacientëve me Leucemi kërkon që në vendin tonë, mjekët por edhe komisioni i hartimit të listës së barnave me rimbursim, të përfshijë medikamente më efikase dhe më eficente për të ndihmuar të sëmurët shqiptarë me leucemi të mbijetojnë, ashtu siç ndodh prej shumë vitesh në vendet e zhvilluara perëndimore. Shoqata, në këtë rast, ka negociuar me firmat farmaceutike për të tregtuar medikamentet e reja në tregun farmaceutik botëror, me të njëjtin çmim që blihen edhe barnat më të vjetra, të cilat përdoren sot në vendin tonë.
Leucemia kronike
Bazuar në statistika, në Shqipëri rastet me leucemi kronike janë rreth 70, që po mjekohen aktualisht, ndërkohë bazuar në përllogaritjet, raste të reja për një vit (incidenca) janë 1-2 raste për 100 mijë banorë, duke pasur parasysh numrin e popullsisë shqiptare, kjo do të thotë që ka ende raste të padiagnostikuara, të cilat do të paraqiten në faza të mëvonshme, më të avancuara.
Zbulimi i herët i leucemisë bëhet vetëm nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku. Të dhënat mjekësore tregojnë se mjekimi i saj varet shumë nga grada në të cilën zbulohet sëmundja.