Transporti
Financat nuk japin para, Shëndetësia: Nuk e përballojmë dot koston
Lorina Mixha
Pacientët me dializë do të duhet ta paguajnë vetë shërbimin e transportit nga vendi ku jetojnë në qytetin më të afërt ku gjendet shërbimi i dializës. Shumica e pacientëve që paraqiten në një nga spitalet e vendit për të kryer dializë përveç ilaçeve, trajtimeve, pamundësisë për të pasur një punë të rregullt dhe për të marrë një rrogë të mirë, duhet t’u shtojnë kostove të sëmundjes së tyre edhe tarifën e transportit.
Shërbim dialize ka spitali i Durrësit, i Shkodrës, i Elbasanit, i Gjirokastrës, i Korçës.
Ndërkohë që vitet e fundit në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, dializa ofrohet falas për pacientët e publikut edhe në dy spitale private. Kjo në bazë të rregullave të nënshkruara pas dhënies së këtij shërbimi nga shteti me koncesion për spitalet private.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë deri tani pagesa e transportit për pacientët e dializës është bërë nëpërmjet fondit të të ardhurave dytësore, tani kjo kosto nuk mund të mbulohet më për shkak të mungesës së parave.
Tre vitet e fundit rimbursimi i transportit për pacientët me sëmundje të rëndë në veshka është paguar nga Ministria e Shëndetësisë, duke përdorur të ardhurat dytësore të akumuluara nga sistemi shëndetësor, por këtë vit, pagesa për transportin e tyre është e pamundur të përballohet nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak të krizës, pagesave të borxheve të mosshlyera vitin e kaluar e për një listë të gjatë problematikash. Ndërkohë që pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të shoqatës së pacientëve që trajtohen me dializë, pavarësisht ndihmës që ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave nuk e ka të mundur të vendosë në dispozicion një fond të përcaktuar për rimbursimin e transportit për të gjithë pacientët me sëmundje të rëndë në veshka.
Sakaq, një pjesë e mirë e pacientëve, të cilët nga nisja e janarit të këtij viti nuk kanë mundur dot të marrin rimbursimin si në vitin 2012 kanë kërkuar sqarime lidhur me mundësinë për rimbursim apo për zgjidhje alternative të këtij problemi.
Mbi 122 pacientë marrin shërbimin e dializës në Tiranë dhe pjesa tjetër në Shkodër, në Elbasan, në Gjirokastër, në Durrës, në Fier. Nisur nga studimet e kryera, 50–60 persona për një milion banorë në vit, humbasin plotësisht funksionin e veshkës, rreth 175 raste të reja në vit kanë nevojë të trajtohen nëpërmjet dializës.
Me financim shtesë në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, prej vitit 2006 janë kryer 38 transplante renale në disa të sëmurë të referuar nga shërbimi i nefrologjisë.
Përveç transplanteve të kryera është ngritur infrastruktura dhe teknologjia e nevojshme në dhomën speciale pranë shërbimit të urologjisë në spitalin “Nënë Tereza”.
Në vitin 2009, me shtrirjen e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor në spitale, me përcaktimin e kostove të shërbimeve, iu dha zgjidhje përfundimtare problemit të transportit të të sëmurëve nga banesa drejt qendrës ku marrin shërbimin shëndetësor, duke përfshirë koston e transportit të të sëmurëve, në koston e shërbimit të dializës. Kjo ka qenë dhe një kërkesë e vazhdueshme e Shoqatës së Pacientëve të Dializës. Aktualisht disa spitale e mbulojnë me automjetet e tyre, ndërsa disa spitale rimbursojnë biletën me një kuotë të caktuar, gjë e cila nuk e zgjidh plotësisht problemin.
Çfarë është hemodializa
Hemodializa është një mënyrë për të pastruar gjakun dhe për të hequr peshën e tepërt që ka fituar trupi. Gjate dializës gjaku kalon në një drejtim dhe në drejtimin e kundërt kalon dializuesi, në këtë mënyrë filtri i përdorur pastron gjakun dhe heq kilet e tepërta. Gjaku i pastruar rikthehet në trup.
Për të realizuar hemodializën gjaku duhet të merret nga trupi juaj, të pastrohet, të filtrohet në makinë dhe më pas të rikthehet sërish në trup. Aksesi është vendi nga prej do të merret gjaku nga trupi juaj.
1 në 10 shqiptar
vuan nga veshkat
Sipas statistikave 1 në 10 shqiptarë ka probleme me veshkat. Ndërsa çdo vit regjistrohen 100 pacientë të rinj, që kanë nevojë për dializë.
Përfituesit
- Të verbrit
- Invalidët
- paraplegjikë
- tetraplegjikë
- invalidët e punës
- Jetimët
- Ish të dënuarit
- Ish të përndjekurit politikë nga sistemi komunist”
- Familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit
- të Gardës së Republikës
- të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm
- të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit
- të Forcave të Armatosura
- të Shërbimit Informativ Shtetëror
- Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës