Mësuesit e larguar
Sindikata: Shkarkimet antiligjore do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit
Një pjesë e mësuesve të larguar nga puna pa të drejtë nga drejtoritë arsimore po i drejtohen gjykatës, duke paditur institucionet që bënë shkarkimin e tyre.
Nëse gjykata u jep të drejtë mësuesve, atëherë shteti është i detyruar t’u paguajë mësuesve pagesën për më shumë se një vit, duke rënduar kështu buxhetin dhe më ekzaktësisht fondet e vendosura në dispozicion për arsimin.
Largimet e dhjetëra mësuesve në fund të vitit shkollor, gjatë pushimeve të verës, por edhe para çeljes së vitit të ri, janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke mos respektuar ndryshimet që tanimë kanë hyrë në fuqi për procedurat e punësimeve në radhët e arsimtarëve, ndërkohë që nuk është respektuar as kontrata kolektive.
Mësuesit e larguar kanë njoftuar Sindikatën e Arsimit se po i drejtohen procesit gjyqësor për largimin e padrejtë, ndërkohë që kanë kërkuar edhe asistencë nga ana sindikatës për të mbledhur dhe grumbulluar të gjitha rastet e shkeljeve dhe largimeve të padrejta. Rreth 40 mësues në Sarandë, dy vjet më parë iu drejtuan gjykatës dhe fituan të drejtën, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm me miliona lekë. Sipas gjykatës, mësuesit u larguan me të padrejtë, prandaj rimbursimi monetar në llogaritë e secilit ishte detyrim për shkeljet e bëra nga drejtoritë arsimore.
Sindikata
Dhjetëra mësues në të gjithë vendin, në këtë fillimviti shkollor, janë lëvizur nga vendet e tyre të punës, në shkelje të plotë me ligjin e ri të sistemit parauniversitar.
Nënkryetari i Federatës Sindikale të Arsimit, Fatmir Bezati, ka theksuar se krerët e drejtorive arsimore në rrethe po shkelin ligjin, por edhe kontratën kolektive: “Ligji i ri është shkelur nga zyrat arsimore dhe nuk është zbatuar kontrata kolektive. Këto shkelje do të shkojnë në gjykatë, mësuesit do të fitojnë të drejtën e tyre dhe këto do të rëndojnë buxhetin e shtetit”, tha Bezati. Në një takim me mësuesit, pak kohë më parë kreu i Sindikatës së Arsimit deklaroi se për arsye politike dhe korruptive dhjetëra mësues po transferohen nga një shkollë në tjetrën. Këto largime po kryhen pa asnjë kriter, ndaj një pjesë e madhe e mësuesve po i drejtohen gjykatës.
Bezati ka sqaruar se në sindikatë janë depozituar ankesa për lëvizje të pamotivuara. “Kemi verifikuar rastet abuzive”, sqaroi numri dy i sindikatës.
Motivet politike
Nisur nga deklaratat e mësuesve dhe shqetësimi i sindikatës, ka reaguar edhe Partia Socialiste. Sipas PS-së, Ministria e Arsimit duhet të nxjerrë akte nënligjore për zbatimin e ligjit duke mos lënë hapësira boshe ku mund të abuzohet me ligjin nga drejtorët e drejtorive arsimore. Deputetja socialiste, Ledi Shamku, tha se këto lëvizje po bëhen në prag të fushatës dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e ri të arsimit parauniversitar. Lorina Mixha
Largimet – Sipas Sindikatës së Arsimit, largimet e mësuesve janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe pa respektuar kontraktën kolektive
Paditë – Mësuesit e larguar i janë drejtuar me padi civile gjykatës, duke e konsideruar shkarkimin e tyre të padrejtë, prandaj kërkojnë rimbursim
Deklarata – Sipas nënkryetarit të sindikatës, mësuesit e larguar janë me arsye të pamotivuara, ndërkohë që pas verifikimeve largimet rezultojnë të jenë abuzive
Fituesit në universitete, shpallet lista përfundimtare
Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) shpall listën përfundimtare të fituesve në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2012-2013.
Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjithë fituesit se tashmë janë të regjistruar në programet ku janë shpallur fitues, sipas kësaj liste, dhe nuk kanë nevojë të regjistrohen përsëri. Ata dorëzojnë brenda javës së parë të vijimit të studimeve pranë sekretarive mësimore: dy fotografi, fotokopjen e dokumentit të identifikimit (letërnjoftimin ose pasaportën biometrike), mandat pagesën. Listat e fituesve janë të shpallura në faqet zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës www.mash.gov.al dhe Agjencisë Kombëtare të Provimeve www.akp.gov.al.