Seanca gjyqësore lidhur me padinë që kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka ngritur ndaj Agron Shehajt, është shtyrë për në datën 21 janar. Lajmi është konfirmuar nga vetë Lapaj, i cili ka qenë i pranishëm sot në Gjykatën e Posaçme, ku komunikoi me gazetarët dhe njoftoi për shtyrjen e gjyqit. Pas kësaj, ai u largua nga gjykata.
Përplasja ligjore mes dy figurave të njohura publike ka nisur që më 2 prill të vitit të kaluar, kur Lapaj dorëzoi një kallëzim penal për shpifje ndaj Shehajt, pas akuzave të forta që ky i fundit kishte bërë ndaj tij. Shehaj e akuzoi Lapajn për marrjen e 45 milionë lekëve nga kompania “Merkaj 3 shpk”, e cila aktualisht ndodhet nën sekuestro nga SPAK, me dyshimin se kompania shërbente për pastrimin e parave të grupit kriminal “Çopja”.
Lapaj ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke sqaruar se pagesat që ka marrë kanë lidhje me shërbime ligjore të kryera në cilësinë e avokatit të kompanisë, dhe se nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetet kriminale. Megjithatë, Shehaj ka vazhduar akuzat, duke publikuar dokumente që, sipas tij, provojnë se Lapaj ka qenë i përfshirë në regjistrimin e një prone me vlerë miliona euro, e blerë nga e njëjta kompani në zonën bregdetare. Sipas Shehajt, vendimi për regjistrimin e kësaj prone është marrë nga Alltun Çela, vjehrri i Lapajt, në periudhën kur ky i fundit drejtonte Gjykatën e Sarandës.
