Seancën gjyqësore ku do të shqyrtohet padia e kryebashkiakut Erion Veliaj për pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados Prokuror, duket se ka vendosur ta ndjekë nga afër edhe aktori i madh Robert Ndrenika. Ai është fotografuar në ambientet e gjykatës pak minuta para nisjes së seancës. Në seancë duket se do të marrë pjesë edhe aktori tjetër, Gaz Paja.

Kujtojmë se shqyrtohet sot në Gjykatën Administrative padia e Erion Veliajt ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, i cili sipas tij ka marrë në 2008 emërimin si prokuror në shkelje të ligjit. Sipas pretendimit të Veliajt, Dado nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës duke mos përmbushur kushtet për t’u kualifikuar si prokuror. Vetë kryebashkiaku është i pranishëm në seancë, ndërsa në mbështetje të tij kanë shkuar edhe dy aktorët Robert Ndrenika dhe Gaz Paja.

Një ditë më parë avokati i Veliajt, Plarent Ndreca ngriti shqetësimin se çështja ndaj prokurorit Dado po tentohet të mbyllet përmes një procesi në errësirë dhe duke shfrytëzuar procedurat. Ndreca është shprehur se pjesë e kësaj ‘harmonie institucionale’ për të mos lejuar shqyrtimin në themel është bërë edhe KLP./ Top Channel