Gjykata: Pietro Grandoni nuk pastroi para. Akuza kërkoi 6 vite burg


Gjykatë


Akuza – Përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin e Pietro Grandonit me 6 vjet burgim dhe 1 milion lekë të reja gjobë për pastrim parash


Mbrojtja – “Deklarimin e pafajshëm të pandehurit Pietro Grandoni, për pastrim parash, si dhe heqjen e sekuestros preventive”


Vendimi – Gjyqtari Altin Abdiu vendosi “deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Pietro Grandoni në bashkëpunim”


Sekuestroja – Heqjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare në euro të shoqërisë “AGAR – SRL” në një bankë të nivelit të dytë


Sokol Çobo


pastrim parashGjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm një shtetas italian, të akuzuar për pastrim parash, pas bllokimit të 500 mijë eurove. Vendimi është dhënë disa ditë më parë, pas 15 seancave gjyqësore, të cilat filluan në muajin tetor të vitit të kaluar. Pietro Grandoni, sipas verdiktit të Gjykatës së Shkallës së Parë, nuk ka kryer vepër penale dhe shuma e sekuestruar do t’i kthehet mbrapsht. Megjithatë, burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se vendimi është ankimuar, pasi ka prova se ata kanë kryer vepër penale. Ndërkohë, procesi gjyqësor për bashkëpunëtorin e tij, Aleksandër Locatelli, vijon në Gjykatën e Tiranës, me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të avokatit.


 


Procesi gjyqësor


Në seancën e 15 të këtij procesi gjyqësor, prokurori Julian Zonja kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Pietro Grandoni për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim. Përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin e tij me 6 vjet burgim dhe 1 milion lekë të reja gjobë. Prokurori tha se në masën e dënimit, duket të llogaritet edhe gjykimi i shkurtuar. Ndërkohë, avokati i shtetasit italian, kërkoi “deklarimin e pafajshëm të pandehurit Pietro Grandoni, për pastrim parash në bashkëpunim si dhe heqjen e sekuestros preventive për shumën e sekuestruar dhe kthimin e saj shtetasit të cilit i përket”.


Pas shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Altin Abdiu vendosi “deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Pietro Grandoni në bashkëpunim”. Po ashtu vendosi heqjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare në euro të shoqërisë “AGAR – SRL” në një bankë të nivelit të dytë me nr. 00012350 të dhënë me vendimin nr.1633 akti, datë 2 nëntor 2011 të Gjykatës së Tiranës”.


 


Hetimet e prokurorisë


Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penal për Grandonin që në vitin 2010. Materiali në ngarkim të tij i është dërguar prokurorisë nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar, e cila ka raportuar se shtetasi italian Alessandro Locatelli, më datë 4 maj të vitit 2010 ka kryer dy transferta parash drejt Shqipërisë nga Sllovenia, gjithsej 500 000 euro. Sipas deklarimit të këtij personi në bankë, rezulton se kjo shumë parash vinte nga shitja e një zinxhiri dyqanesh ushqimore në Gjermani. Përfituesi i këtyre transfertave në Bankën në Shqipëri ishte shoqëria “F. LLI Cassavecchia Spa”, me përfaqësues ligjor shtetasin italian Renato Casavecchia dhe pronarë vëllezërit Casavecchia. Kapitali i nënshkruar nga shoqëria mëmë në Itali është 500 000 euro. Në datë 12 mars të vitit 2010 ka transferuar brenda bankës 490 000 euro në drejtim të shoqërisë me përfaqësues shtetasin italian Pietro Grandoni. Por nga data 19 deri më 29 mars nga kjo llogari janë tërhequr tre tërheqje parash CASH. Kjo ka vënë në alarm autoritetet shqiptare, të cilat kanë nisur ta mbajnë llogarinë nën mbikëqyrje. Në datë 9 prill është konstatuar se Grandoni ka tentuar ta transferojë shumën e mbetur prej 427 000 në një nga llogaritë e shoqërisë së tij, apo në llogaritë e një shoqërie tjetër italiane. Më datë 14 prill, zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë njoftuar policinë, e cila ka bërë bllokimin e parave që kishin mbetur në llogari. Policia shqiptare u ka kërkuar homologëve italianë të dhëna dhe përgjigjja ishte se Alessandro Locatelli ishte person i dënuar dhe i denoncuar për vepra penale. Ndërsa Grandoni ishte person nën hetim. “Duke u nisur nga origjina e dyshimtë e kësaj shume të ardhur nëpërmjet transfertave të dyshimta, si dhe duke u bazuar në të kaluarën kriminale të personave të përfshirë në këtë transaksion bankar, oficeri i policisë gjyqësore që ka hartuar informacionin për prokurorinë kërkon nga ky organ regjistrimin e procedimit penal dhe sekuestron e llogarisë bankare të Pietro Grandonit”,- thuhej në dosje. Prokuroria ka nisur verifikimin e shitjes së deklaruar në burimin e të ardhurave, ndërsa vetë i dëmtuari ka paraqitur dokumente se ai nuk është person i dënuar në Itali. Duket se këto dokumente i kanë dhënë edhe pafajësinë, ndërsa tashmë pritet verdikti i gjykatës për Locatellin.


 


Apelimi i vendimit


Prokuroria: Grandoni tentoi të transferojë paratë me telefon 


Prokuroria pretendon në materialet e saj se kur Pietro Grandonit i është refuzuar transferta e parave, ai është regjistruar si person fizik në QKR, më datë 07.04.2010, me veprimtari tregtim me pakicë veshje. Si i tillë, ai ka hapur një llogari në një bankë të nivelit të dytë dhe ka kërkuar sërish nga banka e parë që të transferonte fondet në llogarinë e re. Transferta e parave është tentuar që të kryhet përmes telefonit dhe në këto kushte banka ka refuzuar sërish duke i kërkuar Grandonit që të paraqiste dokumente për prejardhjen e parave. Një javë më pas ai i ka dërguar bankës disa dokumente me faks për të vërtetuar burimin e fondeve që kërkonte të transferonte. “Ai ka pretenduar se këto dokumente janë dërguar me faks nga Italia, por në dokumente është bërë i padukshëm numri i faksit nga i cili janë dërguar. Personat e përfshirë në transaksione, Alessandro Locatelli, Pietro Grandoni, Gianpiero e Renato Cassavecchia, njihen si persona me precedentë penalë dhe aktivitet kriminal”,- thuhet në materialet e prokurorisë. Organi i akuzës pretendon se justifikimet e Grandonit dhe dokumentet e paraqitura prej tij në disa raste nuk korrespondojnë me situatën dhe në raste të tjera janë të falsifikuara. “Nuk ka logjikë që Pietro Grandoni të nënshkruajë një kontratë me veten, duke qenë përfaqësues i Shoqërisë Agar Srl. Vihet re se i gjithë dokumentacioni nuk është hartuar pranë një noteri, por janë deklarata midis palëve”,- thuhet në dosjen e prokurorisë, që tashmë ka shkuar në Gjykatën e Apelit.