Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, tha se buxheti 2026 është më i madhi që ka pasur vendi ynë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me gazetaren Megi Beshello, Bido u shpreh se brenda këtij mandati, paga minimale do të shkojë në 700 euro, çka do të sjellë një rritje edhe të pagës mesatare dhe të pagave më të larta.
Sa i përket rritjes së pensioneve, deputeti nënvizoi se ka një rritje galopante, e pakrahasueshme me çfarëdolloj rritjeje që është bërë ndonjëherë për pensionet në Shqipëri.
Ai shtoi se rritja e pensioneve që nis prej 1 janarit të vitit 2026, ka si qëllim që brenda mandatit, pensioni urban të dyfishohet.
Bido komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që la në detyrë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Ai tha se Kushtetuesja duhet ta lirojë nga arresti me burg, duke qenë se e lanë në detyrë.
Cilat do të jenë prioritetet në shpërndarjen e të ardhurave në vitin 2026?
Bido: Ky është buxheti më i madh që ka pasur Shqipëria ndonjëherë, me diferencë shumë të madhe. Në 15 vitet e fundit buxheti i shtetit është trefishuar. Rrjedhimisht, tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë për të pasur një buxhet i cili do të jetë në shërbim, qoftë të mbrojtjes së shtresave në nevojë, qoftë në shërbim të investimeve, ashtu edhe të konsolidimit fiskal. Ky buxhet është pikënisja, për shembull, për të rritur pagën minimale e cila prej datës 1 janar do të jetë 500 euro. Kjo vlen për të gjithë ata të cilët paguhen me pagë minimale, me qëllim që brenda këtij mandati paga minimale të shkojë në 700€. Kjo do të ishte e krahasueshme me vendet anëtare të Bashkimit Europian, ku ne presim që brenda këtij mandati Shqipëria të jetë pjesë. Kjo do të sillte një rritje edhe të pagës mesatare dhe të pagave më të larta në fakt, në të gjithë hierarkinë e pagave në Republikën e Shqipërisë. Së dyti, kemi rritjen e pensioneve që nis prej 1 janarit të vitit 2026, me qëllim që brenda mandatit pensioni urban të kalojë në minimum, praktikisht të dyfishohet. Kjo është një rritje galopante, e pakrahasueshme me çfarëdolloj rritjeje që është bërë ndonjëherë për pensionet në Shqipëri. Kjo për sa i përket shtresave në nevojë. Pra, në mënyrë paralele, ne kemi një rritje të investimeve, të cilat janë të rëndësishme, si në infrastrukturë ashtu edhe në projektet prioritare të shpallura, që pritet të rrisin edhe normën e rritjes ekonomike të Shqipërisë.
A ndihmojnë këto masa disa shtresa të shoqërisë që janë më të dobëta për t’u përballur me koston e jetesës?
Bido: Kjo është e vonuar, por tani është çasti. Është çasti që ekzistojnë mundësitë financiare, ekzistojnë instrumentet, pra, që mund të rriten pagat dhe pensionet, në mënyrë që t’i përgjigjemi sfidës që asnjë nga bashkëqytetarët tanë mos mbetet pas. Veçanërisht kur vjen fjala te pensionet, të cilat janë të ulëta dhe kanë qenë shumë herë më të ulëta. Pensionistët në fakt kanë qenë në dorën e solidaritetit të shoqërisë sonë. Praktikisht mbaheshin nga familjet e tyre, përtej pensionit minimal që mund të jepte shteti. Tashmë fillon një rritje e qëndrueshme e pensioneve, jo thjesht indeksimi i tyre, çka është detyrim ligjor, por një rritje mirëfilltë e pensioneve, që do të mundësojë që brenda këtij mandati ne të kemi pensione të cilat do të jenë dinjitoze për të gjithë moshën e tretë. Pensionet të cilat merren pas reformës së kryer në vitin 2015, në fakt, janë pensione të cilat në një masë të madhe të tyre janë pensione dinjitoze. Bëhet fjalë për ato pensione të mëhershme të cilat nuk kanë pasur mundësinë që përmes sistemit kontributiv të ishin të larta. Tashmë është momenti që të vijnë në të njëjtën fazë me pensionet e dala prej reformës së fundit.
Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në detyrë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Cila do të ishte zgjidhja sipas jush për menaxhimin e qytetit të Tiranës, në kushtet kur Veliaj qëndron në burg për shkak të masës së sigurisë? A ka Partia Socialiste një skenar tjetër?
Bido: Në thelb ne kemi një problem të madh të cilin e kemi deklaruar në mënyrë të vijueshme. Dhe nuk flas këtu thjesht si deputet i Partisë Socialiste. Besoj se është tashmë e konsoliduar në gjithë debatin tonë publik një zell i madh i prokurorisë për të shpërndarë majtas djathtas arrest me burg, që pastaj na çojnë në pikëpyetje pas pikëpyetjeje. Çfarë duhet bërë më tej? Pra, kemi një ngërç fillestar. Përpara se të shohim se çfarë do të bëhet, ne do të duhet të presim, sepse tashmë ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Jam shumë kurioz ta shoh të zbardhur, sepse vendimi i zbardhur na jep edhe arsyetimin më të plotë të kësaj gjykate. Ajo na thotë, në fakt, se nuk mund të shkarkohet një kryetar bashkie prej mungesës së tij, e cila mungesë vjen prej vendimit të arrestit me burg të vendosur nga gjykata. Në radhë të parë, ne duhet të shohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të shohim arsyetimin e shumicës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që kanë arritur në këtë konkluzion. Kjo me qëllim që të shohim nëse ata kanë lënë brenda arsyetimit të tyre një rrugëdalje për të mundësuar që Tirana të mund të qeveriset në formën se si e përcakton ligji, pra, me legjitimitet politik përmes një kryetari të zgjedhur. Kryeministri ka deklaruar para disa ditësh që tashmë topin e ka prapë Gjykata Kushtetuese. Meqenëse nuk e ka pranuar shkarkimin e kryetarit të bashkisë për shkak të kësaj, Gjykata Kushtetuese duhet ta lirojë nga arresti me burg duke prezumuar pafajësinë, ashtu sikurse edhe ligji e përcakton, në mënyrë që të kemi legjitimitet politik. Nëse nuk është as kjo zgjidhje, le të shohim edhe nga vetë interpretimi i Gjykatës.
