Përplasja mes qeverisë dhe magjistratëve për çështjen e pagave vijon, ndërsa kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje një krahasim mes nivelit të pagave të gjyqtarëve në Shqipëri dhe atyre në disa vende të rajonit.
Përmes një postimi në platformën X, kreu i qeverisë publikoi të dhëna që, sipas tij, tregojnë se gjyqtarët shqiptarë kanë aktualisht paga ndër më të lartat krahasuar me homologët e tyre në vendet e përfshira në tabelë.
Rama deklaroi se një gjyqtar në fillim të karrierës në Shqipëri përfiton rreth 500 euro më shumë në muaj se një gjyqtar i së njëjtës kategori në Greqi. Sipas tij, nëse zbatohet rritja që lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, diferenca do të zgjerohej ndjeshëm.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, shkroi kryeministri.
Nga shifrat e publikuara prej tij rezulton se paga mujore e një gjyqtari të ri në Shqipëri është 3,241 euro. Mes vendeve të paraqitura në krahasim, vetëm Rumania ka një nivel më të lartë, me 3,665 euro në muaj.
Në këtë renditje, Shqipëria pozicionohet përpara Sllovenisë, Greqisë, Bullgarisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Por sipas përllogaritjeve të paraqitura nga Rama, situata do të ndryshonte nëse pagat do të përcaktoheshin sipas formulës së pretenduar nga magjistratët pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë skenar, paga mujore do të arrinte në 4,886 euro.
Me këtë nivel page, sipas tabelës së publikuar nga kryeministri, Shqipëria do të kalonte në krye të renditjes së vendeve të krahasuara, duke tejkaluar Rumaninë me 1,221 euro në muaj.
Debati nuk lidhet vetëm me nivelin individual të pagave, por edhe me efektin financiar që një rritje e tillë mund të ketë mbi buxhetin e shtetit.
Një ditë më parë, Rama publikoi një tjetër përllogaritje lidhur me koston e mundshme të zbatimit të formulës së kërkuar nga magjistratët, me efekt që nga 1 prilli 2023. Sipas shifrave të paraqitura prej tij, fatura e përgjithshme për buxhetin do të arrinte në rreth 12 miliardë lekë, ose 130.5 milionë euro.
Kryeministri i cilësoi këto të dhëna si shqetësuese, ndërsa debati mes ekzekutivit dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë për mënyrën e përcaktimit të pagave mbetet i hapur.
