SPAK ka nisur verifikimet për të përcaktuar se kush qëndron pas vendimmarrjes që çoi në moslëvrimin e pagave të gjyqtarëve. Këtë të premte, hetuesit kanë filluar marrjen në pyetje të zyrtarëve që mund të kenë dijeni ose rol në procedurën e ndjekur.

Personi i parë që është paraqitur për të dhënë shpjegime është drejtuesja e Thesarit. Dëshmia e saj pritet të ndihmojë hetuesit në rindërtimin e zinxhirit të veprimeve dhe në përcaktimin e përgjegjësive për bllokimin e pagesave.

Hetimi nuk mbështetet vetëm te dëshmitë. SPAK ka siguruar një volum dokumentacioni që lidhet me çështjen, përfshirë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, aktet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe komunikimet e Prokurorisë së Përgjithshme për listëpagesat.

Në dosje janë përfshirë gjithashtu listëpagesat që rezultojnë të anuluara nga Ministria e Financave dhe të dhënat elektronike të regjistruara në sistemin e Thesarit. Këto materiale pritet të përdoren për të gjurmuar se si është proceduar dhe në cilën hallkë është marrë vendimi për moskryerjen e pagesave.

Pas dëshmisë së drejtueses së Thesarit, SPAK pritet të thërrasë edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Financave.

Hetuesit synojnë të sqarojnë procedurën e ndjekur, personat e përfshirë në të dhe nëse ka pasur një urdhër konkret për të mos ekzekutuar listëpagesat e gjyqtarëve.