Debati për rritjen e pagave të magjistratëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka ‘mbërthyer’ vendin këto javë. Nga njëra anë janë magjistratët që kërkojnë rritjen e pagës së tyre, ndërsa nga ana tjetër është kryeministri Edi Rama që e quan këtë kërkesë absurde.

Tashmë çështja është në derën e Kushtetueses, por sipas Ulsi Manjas, kjo nuk është hera e parë që magjistratët i drejtohen kësaj gjykate për këtë çështje. I ftuar mbrëmjen e sotme në Top Story, Kryetar i komisionit të ligjeve ka sqaruar zanafillën e këtij debati.

“E kam ndjekur debatin sepse vij nga ai sistem, sepse jam kryetar i komisionit të ligjeve, ish ministër i drejtësisë, dhe për faktin se jam dëshmitar i miratimit të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri. Kur them ligj i famshëm, ai është një ligj i rëndësishëm, por them i famshëm sepse që nga miratimi në 2016 deri sot nuk di që një ligj të ketë shkuar 3 herë në Kushtetuese dhe të jetë ndërdyrë nga ligjvënësi 3 herë në atë ligj, në nenin 12. Ndaj them se është ligj shumë i debatuar.

Nuk është debat që zhvillohet në distancë mes gjyqtarëve dhe ekzekutivit, sepse flasim për një vendim kushtetues ku qeveria është palë e interesuar. Debati në rastin konkret po zhvillohet mes dy palëve të interesuara. Për herë të parë po bëhet kaq publik sepse mesa duket çështja e pagave në përgjithësi ngjallin debate në publik. Një kërkesë për rritje page nga cilado palë interesi që të vijë, është legjitime. Por ama në një shtet demokratik sistemi i pagave nuk mund të jetë një listë dëshirash. Sistemi i pagave është pasqyra e funksionimit politik, demokratik dhe social të një shteti.

Unë nuk dua sonte të bie në kurthin e shifrave, por dua të rri të qartësia e normës ligjore që përcakton pagat e sistemit të drejtësisë sot. Ligji për statusin e prokurorëve që u miratua në 2016, ishte ndër ligjet e rëndësishme sepse statuset për kategori të caktuara të funksioneve publike janë sa privilegje por dhe lidhen me përgjegjësinë e funksionit të tyre publik.

Parimi kryesor që kishte ligji sa i takon caktimit të pagës, ishte respektimi i dinjitetit të profesionit. Shkalla ku magjistrati ushtron funksionin, kriteri i dytë ishte vjetërsia në punë, i treti kompetenca ku e ushtron funksionin, kriter tjetër paga për pozicion drejtues, shtesa për kualifikime. Statusi nuk mbaronte këtu sepse ishte dhe trajtimi i veçantë financiar, kompensimi për raste transferimi, për kur përfshiheshin në skemë delegimi jashtë qendrës së banimit, pensioni suplementar, sigurimi i jetës dhe familjarëve dhe shtesa për vështirësisë profesioni. Ishin një sërë kriteresh që përbënin statusin e magjistratit.

Debati tani është për pagën referuese. Debati i parë lindi në 2017. Në 2021, ministria e financave ngriti një shqetësim dhe tha neni 12 pika 5, kur flet për pagën referuese, pagë për funksion… i kemi pyetur a e cënon në vlerë nominale saktësimi i kësaj terminologjie? Jo. Kemi bërë ndryshime dhe kemi bërë që paga referohet me pagën e një drejtori në kryeministri. Sapo hyri në fuqi ky ndryshim, shoqata i atakoi dhe e çoi në Kushtuese, dhe kjo e fundit urdhëroi: paga referuese bazë nuk do jetë drejtor i kryeministrisë, por kategoria b që i korrespondon sekretarit të përgjithshëm, dhe do ketë pagën referuese plus pagën e grupit, jo për përfitime të tjera.

Përcaktimi i pagës referuese, e reja është përcaktuar nga vendimi i Kushtetuese. Nuk duhet të prekni pagën e fituar deri tani nga magjistratët tha Kushtetuesja. Çfarë ndodhi pas këtij vendimi? Duke qenë se norma u shfuqizua, ministria e financave tha të fillojë zbatimi nga 1 janari i 2019, pra të merrnin diferencën. Gjyqtarët nuk pritën dhe iu drejtua gjykatës administrative. Miratuam ndryshimet në 2023, e morëm vendimin e Kushtetuese dhe e përkthyem te neni, dhe thamë që paga referencë, e përkthyem në koeficient te paga e Presidentit të Republikës, më e larta. E rritëm e çuam 153000. Në atë kohë me ligjin për rritjen e pagave, edhe paga e Presidentit kishte pësuar rritje 50%. Për të garantuar nenin 138, u kujdesëm që paga referuese të garantohej dhe në vlerë referuese dhe thamë do indeksohet paga e tyre çdo dy vite.

Kur u rritën pagat në shërbimin civil dhe administratën publike, magjistratët thanë do shkojmë në Kushtetuese se ju na keni cënuar pagën dhe keni shkelur nenin 138, sepse nëse do na kishit lënë me referencë të sekretari i përgjithshëm, paga e tyre është rritur me 30%… në vlerë paga bazë plus pagën e grupit, shkon 237 mijë lekë të reja për sekretarin e përgjithshëm.

Neni 138 thotë mos e ul pagën e magjistratit. Ne nuk e ulëm, por e rritëm, por ama nuk do të thotë ulje page nëse një formulë e përllogaritje e re të jep një përfitim më të vogël është në shkelje të nenit, dhe një formulë që të jep përfitim më të madh qenka në zbatim të nenit. Nuk di të ketë vlerësim më të madh sesa të të referojmë pagën me atë të Presidentit”, tha Manja.