Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në X lidhur me padinë e kryer këtë të enjte nga magjistratët në SPAK, mbi ngërcin me pagat.
Me ironi, Rama u thotë gjyqtarëve se në padi duhet të ishte edhe emri i tij dhe i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Kreu i maxhorancës quan injorancë juridike padinë, e cila sipas tij duhet t’i bëhej Kuvendit, pasi qeveria duhet të presë vendimin e tij për pagat.
“Kallzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit.
Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë.
Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Rama.
