Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Financave lidhur me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht, duke e cilësuar qëndrimin e institucionit në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ministria e Financave deklaroi se ndryshimi i pagave nuk mund të zbatohet pa miratimin paraprak të Kuvendit, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon ndërhyrje dhe ndryshime në kuadrin ligjor.
Sipas Ministrisë, këto ndryshime duhet të miratohen nga parlamenti përpara se të mund të procedohet me zbatimin e vendimit. Në këtë kuadër, Ministria e Financave i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë të dorëzojnë listat e pagave duke përdorur të njëjtin format të aplikuar gjatë muajit korrik.
Shoqata e Gjyqtarëve kundërshton këtë qëndrim, duke argumentuar se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përbën cenim të garancive kushtetuese për pagën e gjyqtarëve.
Debati për pagat është ngritur pas bllokimit të pagesave në sistemin e drejtësisë. Një ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i kërkoi ministrit të Financave, Petrit Malaj, ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.
Në letrën drejtuar ministrit, Sadushi theksoi se pezullimi i trajtimit financiar të gjyqtarëve cenon garancinë kushtetuese për paprekshmërinë e pagës dhe pavarësinë institucionale të pushtetit gjyqësor.
Kreu i Gjykatës së Lartë argumentoi gjithashtu se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret si arsye për pezullimin administrativ të pagave të gjyqtarëve.
