Bllokimi i ekzekutimit të pagave të muajit gusht 2026 për magjistratët dhe administratën e sistemit të drejtësisë ka vënë në lëvizje institucionet ligjzbatuese. Prokurori i Përgjithshëm ka zhvilluar sot një mbledhje të jashtëzakonshme me drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Shoqatës së Prokurorëve.

Në fokus të takimit ka qenë situata e krijuar financiare dhe nevoja parësore për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor. Pjesëmarrësit kanë theksuar se kjo çështje kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe të qartë, e cila të jetë në rreptësisht në përputhje me standardin kushtetues të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas vendimmarrjes së arritur në mbledhje, çështja do të vijojë të trajtohet përmes instrumenteve ligjore, me qëllim shmangien e çdo cënimi në funksionimin normal, pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, si dhe respektimin e të drejtave financiare të punonjësve.

Më poshtë deklarata e plotë e shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme:

Deklarata: Mbi mbledhjen lidhur me situatën e pagesave të magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë

Sot, më datë 8 shtator 2026, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një mbledhje e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës.

Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.

Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.

Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.