Një situatë e pazakontë dhe shqetësuese është denoncuar në emisionin investigativ Fiks Fare nga punonjësja e ujësjellësit në Mirditë, Drita Bazhdari.
Pas 42 vitesh pune, ajo shprehet se sot paguhet pa kryer asnjë detyrë, pasi nuk i jepet mundësia për të punuar.
Bazhdari tregon se për dekada me radhë ka qenë e angazhuar në sektorin teknik, duke u marrë me lidhjen dhe ndryshimin e kontratave, kontrollet në terren dhe pritjen e qytetarëve. Por prej rreth 8 muajsh, sipas saj, situata ka ndryshuar rrënjësisht.
“Shkoj çdo ditë në punë dhe rri 8 orë para kompjuterit pa bërë asgjë. Nuk kam shkruar as datën. Përgjegjësi nuk më lejon të punoj”, shprehet ajo.
Sipas denoncimit, në vendin e saj është vendosur një punonjës i ri, ndërsa ajo është lënë jashtë çdo procesi pune. Edhe pse vazhdon të marrë pagën, Bazhdari e konsideron këtë situatë denigruese dhe të padrejtë.
Ajo tregon se ka kërkuar zgjidhje pranë drejtuesve, duke iu drejtuar edhe drejtorisë në Lezhë, por pa rezultat konkret. Madje, sipas saj, ka pasur edhe vonesa në pagesë, ku për një periudhë prej dy muajsh nuk është paguar, për t’i marrë më pas të gjitha njëherësh.
Gjatë një takimi me drejtorin në Lezhë, ai i ka premtuar se do të ndërhyjë për t’i caktuar një plan pune. Në një komunikim telefonik me përgjegjësin në Mirditë, drejtori i ka kërkuar këtij të fundit që t’i japë detyra konkrete punonjëses.
Megjithatë, situata duket se mbetet e pazgjidhur. Kur Bazhdari është rikthyer në Mirditë, ajo nuk e ka gjetur përgjegjësin në zyrë, ndërsa në një komunikim telefonik ai i ka thënë se “ajo i di detyrat”, duke shtuar se “në punë është, pasi pagën e ka marrë”.
Nga ana tjetër, punonjësja këmbëngul se kërkon vetëm të rikthehet në normalitet dhe të ushtrojë profesionin e saj.
“Unë dua të punoj. Nuk dua të rri kot për 8 orë”, shprehet ajo, duke kërkuar ndërhyrje për zgjidhjen e situatës.
Ndërkohë, përballë interesimit të gazetarëve të Fiks Fare , përgjegjësi Nikolin Kaçorri ka dhënë deklarata kontradiktore lidhur me rastin. Në disa raste ai është shprehur se punonjësja ka refuzuar punën, ndërsa në raste të tjera ka pretenduar se ajo i ka kryer detyrat.
