Një rast i trajtuar më herët nga emisioni investigativ Fiks Fare ka rikthyer në vëmendje problematika serioze në Ujësjellës-Kanalizime Mirditë, ku një punonjëse pretendon se paguhet pa u lejuar të kryejë detyrat e saj.

Pas transmetimit të kronikës në Fiks Fare, si punonjësja ashtu edhe përgjegjësi i saj kërkuan një ballafaqim, me këtë të fundit që pretendoi se materiali ishte i njëanshëm.

Fiksi udhëtoi drejt Rrëshen, ku fillimisht u paraqit në zyrën e përgjegjësit. Ai kishte përgatitur një deklaratë me shkrim dhe gjatë gjithë komunikimit zgjodhi ta lexonte atë, duke shmangur përgjigjet direkte ndaj pyetjeve të gazetarëve.

Në një moment, ai i dorëzoi telefonin shefit të financës për të filmuar situatën, ndërkohë që ky i fundit u justifikua se ndodhej brenda institucionit gjatë orarit zyrtar.

Gjatë deklarimeve, përgjegjësi pretendoi se kishte siguruar furnizim me ujë 24 orë në qytet, madje duke përdorur edhe para nga xhepi personal. Por, kur u pyet mbi burimin e këtyre fondeve dhe nëse ishin rimbursuar, ai nuk dha asnjë sqarim konkret.

Ballafaqimi mes palëve u zhvillua në zyrën e përgjegjësit, pasi ky refuzoi të shkonte në vendin e punës së punonjëses për të treguar detyrat e saj.

Gjatë përballjes, punonjësja paraqiti një shkresë ku përgjegjësi e akuzonte atë dhe bashkëshortin e saj për një ngjarje që daton që nga viti 1990, duke pretenduar dëmtim të ujësjellësit për përfitime personale.

I pyetur për këto akuza, ai u shpreh se ata janë “përgjegjës si të tjerët”, por pa paraqitur prova konkrete, duke shtuar se situata të tilla “kanë ndodhur në gjithë Shqipërinë”.

Nga ana tjetër, punonjësja pretendoi se përgjegjësi kishte punësuar një person tjetër, të cilin e cilësoi si “patronazhist”, dhe i kishte kaluar atij detyrat që i përkisnin asaj.

Përgjegjësi e hodhi poshtë këtë akuzë, duke e cilësuar si ofendim dhe duke theksuar se punonjësja duhet të mësojë dhe të kryejë detyrat e saj.

Rasti, i bërë publik nga Fiks Fare, vijon të ngrejë pikëpyetje mbi menaxhimin dhe transparencën në institucionet publike.