Në kuadër të ligjit për Paketën e Maleve Këshilli i Ministrave ka miratuar zonat prioritare për zhvillim në bashkinë e Kukësit.
Vendimi i qeverisë vjen afro 3 javë pas takimit të kryeministrit Rama me kryebashkiakët e vendit, shumicën e të cilëve i qortoi për neglizhencë, pasi nuk kishin dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave hartën me zonat e përzgjedhura si prioritare për zhvillim, në bashkitë përkatëse.
Kryebashkiaku që mori fjalët më të rënda të kryeministrit Rama ishte ai i Kukësit, Albert Halilaj.
“Më dëgjon ti kryetari i Bashkisë së Kukësit? Ti më dëgjon por nuk di a më kupton sepse një nga shtysat kryesore për Paketën ishin kuksjanët sepse interesi për të investuar është i lartë prej aty që jetojnë jashtë. Ka 5 muaj që i ke në dispozicion të gjithë instrumentet dhe ende nuk ke sjellë hartën që është fare e thjeshtë nuk ka shkencë. Hiq qytetin dhe i gjithë territori përveç zonave të mbrojtura është brenda kësaj pakete”, iu drejtua Rama.
Gjatë takimit, Rama urdhëroi për secilën bashki ngritjen e një task-force të përbërë nga 3 persona, e cila do të shërbejë për t’i ardhur në ndihmë, apo për t’i lehtësuar procedurat personave që kanë shpallur interesim për të qenë pjesë e 500 të parëve që do t’i miratohet leja për të invesuar. 500 investitorët e parë përfitojnë një kontratë 10 vjeçare ku për këtë periudhë kohore, nuk do të paguajnë asnjë taskë në shtet.
VKM:
V E N D I M PËR SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË KUKËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpalljen “zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, në territorin e Bashkisë Kukës, të zonave, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, pjesë e Njësisë Administrative Bicaj, me sipërfaqe 253.55 (dyqind e pesëdhjetë e tre pikë pesëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
b) Zona nr.2, pjesë e Njësisë Administrative Bicaj, me sipërfaqe 398.18 (treqind e nëntëdhjetë e tetë pikë tetëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto;
c) Zona nr.3, pjesë e Njësisë Administrative Arren, me sipërfaqe 255.56 (dyqind e pesëdhjetë e pesë pikë pesëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH, të paraqitur mbi ortofoto.
- Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) industrial;
c) turistik.
- Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Kukës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
