Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet për paketën fiskale të vitit 2027, duke kundërshtuar publikimet e deritanishme dhe duke i cilësuar dokumentet që po qarkullojnë si materiale pune të paplota.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se diskutimet mbi masat e reja fiskale po zhvillohen mbi dokumente që, sipas tij, janë publikuar pjesërisht. Ai paralajmëroi se qeveria do të paraqesë qëndrimin e saj zyrtar ditën e nesërme.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se në fokus do të jetë miratimi i buxhetit që, sipas tij, për herë të parë në histori do të kapërcejë vlerën e 10 miliardë eurove. Rama e cilësoi gjithashtu paketën si një nga nismat më ambicioze për rishpërndarjen e rritjes ekonomike.

“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma, se nesër e ka radhën qeveria të thotë fjalën e saj me miratimin e buxhetit të parë në histori që kalon pragun e 10 miliardë Eurove dhe paketës më ambicioze të rishpërndarjes së rritjes ekonomike”, shkruan Rama në Twitter.