Një ministër i qeverisë së Pakistanit ka ofruar 100 mijë dollarë shpërblim për ‘kokën’ e prodhuesit të filmit anti-islamik “Pafajësia e myslimanëve’, që ka nxitur protesta në shumë vende myslimane duke sjellë edhe shumë viktima.  Ministri i Hekurudhave, Ghulam Ahmed Bilour iu tha gazetarëve në Peshavar se ai do ta paguante shpërblimin nga xhepi i vet.


“Do të shpërblej me 100 mijë dollarë këdo që vret regjisorin e atij filmi dhe nëse dikush do të bëjë ndonjë material të tillë në të ardhmen, do t’i ofroj përsëri të njëjti shpërblim. Liria e shprehjes nuk mund të përfshijë ofendimin e Profetit. Nëse kjo do të ndodhë, e ardhmja do të jetë tepër e rrezikshme për të gjithë”, u shperh para mediave ministri pakistanez.


Ai gjithashtu i ftoi pjesëtarët e talebanëve dhe të Al Kaedës, që të marrin pjesë në atë që e quajti “vepër fisnike”.


Deklarata e tij vjen pak ditë pas protestave të dhunshme në Pakistan, të nxitura prej filmit “Pafajësia e Myslimanëve”, ku mbetën të vdekur më shumë se 20 persona. Origjina e filmit mbetet e paqartë, por, Nakoula Basseley Nakoula, që dyshohet se qëndron pas filmit, aktualisht është në arrati.


Ndërkohë, qeveria e Pakistanit është distancuar nga deklarata e ministrit të kabinetit, të cilat i kanë cilësuar individuale dhe jo të qeverisë pakistaneze.


Një zëdhënës i kryeministrit Raja Pervez Ashrafm i tha AFP-së se, ofrimi i shpërblimit “nuk është politikë e qeverisë”.


23 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)