Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka informuar mbi hetimet dhe sekuestrimet e pasurive të dyshuar si produkt i veprave penale të një organizate kriminale që vepronte në Elbasan, e udhëhequr nga vëllezërit F.G. dhe H.B. Në kuadër të hetimeve, është sekuestruar një pasuri e paluajtshme në Elbasan, një vilë me dy kate banimi dhe disa ambiente të tjera, që dyshohet se janë pjesë e aktivitetit kriminal të vëllezërve. Sekuestrimi është vendosur nga Gjykata e Posaçme pas analizës hetimore dhe masave të marra për të ndaluar pastrimin e të ardhurave nga krimi.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes njoftimeve të datave, 01.08.2024, 21.01.2025 dhe 20.02.2025 informoi mbi procedimin e një organizate kriminale kriminale me bazë në qytetin e Elbasanit, e cila drejtohej nga vëllezërit F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) si dhe sekuestrimet e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme që dyshohet se janë produkt i veprës penale.

Prokuroria e Posaçme ka vijuar kryerjen e hetimeve për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe te paluajtshme që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.

Më datë 23.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 117, datë 15.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurisë së paluajtshme në adresën; Lagjia “5 Maji”, Elbasan, e cila është njësi banimi në pronësi dhe përdorim të familjes së vëllezërve F.G. (alias F. Ç) dhe H.B. (alias H. Ç), këta të fundit persona nën hetim sipas procedimit penal nr.75, viti 2022, si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale kundër jetës dhe pronës, si dhe të pastrimit  të produkti të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale.

Njësia e banimit, objekt i sekuestrimit ishte një vilë private, me 2 (dy) kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.

Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi – ambiente plotësisht të mobiluara. Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto  hapësira plotësisht të mobiluara.