Ambasada palestineze proteston ndaj deklaratës së Panaritit


Ministria e Jashtme e ShqiperiseAmbasada palestineze në Tiranë reagoi ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në lidhje me konfliktin aktual që po zhvillohet në Gaza, duke u ankuar për qëndrimin e theksuar pro izraelit të vendit tonë. Ambasada e Palestinës theksoi se deklarata e Ministrisë sonë të Jashtme të drejtuar nga Edmond Panariti, është më ekstreme se sa deklaratat e vendeve europiane apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


“Ministria e Punëve të Jashtme dënon ashpër sulmet raketore të Hamasit dhe fraksioneve të tij kundrejt shtetit të Izraelit dhe bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe për rivendosjen e paqes”, thuhet në një deklaratë të publikuar më 16 nëntor. Në të njëjtën ditë, Izraeli kreu një bombardim në Gaza, ku u vra një zyrtar i Hamasit dhe shumë civilë të pafajshëm.


“Ne nuk kemi konstatuar më parë asnjë deklaratë, e cila bën përgjegjëse palën izraelite për zgjerimin e territoreve të saj (siç bëri Europa dhe SHBA-ja), apo për sulmet e armatosura izraelite ndaj popullsisë palestineze, duke djegur fshatra, kisha, xhamia, apo duke vrarë dhe dëbuar banorët e qytetit të Jerusalemit, apo duke mbajtur të izoluar qytetin e Gazës për disa vite me radhë”, thotë ambasada palestineze në reagimin e saj ndaj Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme.


“Ambasada palestineze në Shqipëri, gjithashtu shfrytëzon rastin t’i drejtohet popullit mik shqiptar, kudo që ndodhet, për t’i uruar përzemërsisht Gëzuar 100-Vjetorin e Pavarësisë, lumturi dhe zhvillim kurdoherë! Njëkohësisht theksojmë se edhe populli palestinez ka të drejtë të festojë Pavarësinë e tij dhe për ta arritur këtë ka shumë nevojë për mbështetjen e njerëzve të lirë në botë”, thuhet në deklaratën e ambasadës palestineze në Tiranë publikuar në faqen e saj të internetit.


Qëndrimi i Shqipërisë në konfliktin Izrael-Palestinë ndryshoi rrënjësisht vitin e kaluar, duke u bërë vendi më pro izraelit në rruzullin tokësor.