Të gjitha ndërtesat e vjetra në vendin tonë do të rinovohen. Qeveria pritet të miratojë Planin Kombëtar që synon të mobilizojë investime të thella në stokun ekzistues rezidencial, publik dhe të shërbimeve. Plani i miratuar synon ndërhyrje që përmirësojnë ndjeshëm performancën energjetike të ndërtesave.
Objektivi kryesor është transformimi i stokut ekzistues të ndërtesave, në ndërtesa pa emetime deri në vitin 2050, duke kontribuar në Marrëveshjen e Parisit. Një fokus i veçantë i kushtohet reduktimit të varfërisë energjetike për familjet.
Argumentimi i projekt-vendimit thekson disa përparësi të pritshme. Ndërhyrjet e thella në izolimin termik dhe sistemet e ngrohje/ftohjes pritet të sjellin ulje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike dhe termike, duke ulur kostot për familjet dhe institucionet. Zbatimi i këtyre masave do të kërkojë fuqi punëtore në ndërtim dhe sektorë mbështetës, duke nxitur zhvillimin ekonomik.
Relacioni evidenton se sfida kryesore mbetet sigurimi i burimeve financiare për zbatimin e gjerë të projekteve, veçanërisht për shtresat në nevojë. Për ta do të financohen paketa ndihmëse financiare, ndërkohë që rinovimet për institucionet qendrore do të mbulohen nga buxheti i shtetit.



