Zjarri ka marrë përmasa të mëdha në fshatrat Vergo dhe Palavli të Delvinës, ku flakët raportohet se kanë djegur disa banesa.

Pamjet që vijnë nga vendngjarja tregojnë për një situatë apokaliptike, ku flakët e zjarrit i janë afruar rrugës nacionale. Zjarri në Delvinë vazhdon prej disa ditësh, ku dëme të mëdha ka shkaktuar edhe në fshatin Senicë, ku u dogj kisha shekullore e Shën Dhimtrit dhe 4 banesa.

Banorët janë gjetur të papërgatitur për përmasat e zjarrit, ndërsa shumë prej tyre, të moshuar dhe pa mundësi lëvizjeje, kanë mbetur të bllokuar në banesat e tyre në momentin kur flakët kanë hyrë në fshat. Gjatë mesditës së sotme janë raportuar thirrje për ndihmë nga disa banesa, çka ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për evakuimin e tyre. Autoritetet nuk raportojnë për lëndime në njerëz, por për dëme të mëdha materiale.

Përpjekjet për shuarjen e zjarrit janë penguar edhe nga infrastruktura e brendshme e fshatit. Gardhet e vendosura nga një banesë në tjetrën kanë pamundësuar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse në disa zona, duke e vështirësuar ndjeshëm neutralizimin e vatrave aktive. Terreni i thyer kodrinor, mungesa e rrugëve të aksesueshme dhe tymi i dendur kanë bërë që ndërhyrja nga toka të jetë e kufizuar.