“Reuters” ka sjellë  fotoreportazhin e momenteve të vështira në Delvinë, e cila është përfshirë nga flakët.

Imazhet e frikshme të kapura nga fotografi Florion Goga tregojnë vendin e shkrumbuar nga zjarri, teksa banorët shikojnë të trishtuar dhe të pafuqishëm katastrofën natyrore, ndërsa braktisin banesat e tyre.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi ditën e djeshme se zjarri i nisur në Finiq kishte kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat.

Edhe gjatë natës flakët kanë vijuar me intensitet të lartë, ku si pasojë shumë banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, ndërkohë autoritetet janë në terren për të menaxhuar situatën emergjente.

Pas evakuimit të banorëve u bë edhe zhvendosja e pacientëve dhe stafit mjekësor të spitalit të Delvinës pasi flakët iu afruan edhe godinës së spitalit.