Pamjet e reja të atentatit të përgjakshëm të ndodhur në Rinas, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani, janë bërë publike nga “Shtegu”, duke zbardhur edhe më shumë dinamiken e ngjarjes.
Në pamjet e siguruara, shihet momenti kur mjeti tip “Benz”, i cili ndodhej i ndaluar pranë rreth rrotullimit të aeroportit të Rinasit, është shënjestruar nga atentatorët. Një person, i armatosur, afrohet afër xhamit të pasagjerit dhe qëllon me armë, duke e lënë të vdekur Gilmando Danin që ndodhej në vendin e pasagjerit.
Pas goditjes të parë, automjeti nuk lëviz dhe kjo ka dhënë mundësi për një tjetër sulm. Breshëri plumbash zbrazet mbi makinën e viktimave nga një distancë jo shumë e largët, duke e përshkruar më pas skenën e një sulmi të koordinuar. Pamjet tregojnë se autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit disa herë.
Një moment tjetër dramatik është kur një nga atentatorët ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të objektivit të tij, Gilmando Danit. Për të tretën herë, mjeti i viktimave është goditur nga plumbat, duke e lënë të plagosur rëndë shoferin, Muçi Shaljani.
Pas sulmit, atentatorët janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të Fushë-Krujës. Pamjet e publikuara gjithashtu tregojnë kalimtarë të rastit që janë afruar për të ofruar ndihmë për personat brenda mjetit, të cilët kishin marrë goditjet e plumbave.
