Pamje tronditëse janë publikuar nga lokali pranë vendit ku ndodhi aksidenti fatal në Durrës, ku një automjet doli nga rruga dhe përfundoi mbi trotuar, duke shkaktuar një tragjedi me pasoja të rënda për tre fëmijë.

Sipas informacioneve të siguruara nga kamerat e sigurisë së biznesit, në momentin e përplasjes brenda lokalit krijohet panik, ndërsa klientët dalin me nxitim jashtë për të kuptuar çfarë kishte ndodhur. Viktimat dhe i mituri i plagosur raportohet se ishin fëmijë të së njëjtës lagje, rreth 10 vjeç.

Ngjarja ndodhi në zonën e lagjes 15, ku automjeti humbi kontrollin dhe goditi zonën e trotuarit përpara lokalit. I dyshuari për aksidentin, Nikoll Radaçi, është arrestuar nga autoritetet.

Banorë të zonës kanë deklaruar se drejtuesi i mjetit njihej prej kohësh për sjellje problematike në timon dhe për lëvizje të rrezikshme me automjetin në rrugët e lagjes. Hetimet për rrethanat e plota të tragjedisë vijojnë.