Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje qytetin e Durrësit, por është kaluar thuajse në heshtje nga institucionet dhe mediat, sikur të ishte një rast i zakonshëm.
44-vjeçari Fatbardh Kaloshi, baba i tre fëmijëve, humbi jetën tragjikisht pasi ra në kontakt me rrymën elektrike të një shtylle të dëmtuar. Në momentin e aksidentit, ai kishte këmbët e zhytura në ujërat e shiut që kishin përmbytur zonën, duke e bërë situatën fatale.
Banorët e lagjes kishin ngritur prej javësh alarmin për rrezikun që paraqiste kjo shtyllë elektrike me tela të zhveshur, duke njoftuar edhe OSHEE-në. Megjithatë, paralajmërimet e tyre nuk u morën parasysh, derisa ndodhi tragjedia.
Kjo ngjarje e hidhur është një tjetër dëshmi se sa e brishtë është siguria e qytetarëve dhe sa shpesh shteti tregohet i munguar, duke lënë pas vetëm humbje të pariparueshme.