Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka publikuar pamjet e transferimit të disa të burgosurve me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga burgu i Durrësit, drejt burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Siç shihet në pamje, të burgosurit shoqërohen me një kolonë furgonash të policisë dhe nën masa të rrepta sigurie.
Mësohet se Lulzim Berisha, Orges Molla, Juxhin Koka, dy shtetas brazilianë dhe një nga Venezuela janë mes 15 të burgosurve me rrezikshmëri të lartë që u transferuan në orët e para të mëngjesit të 15 janarit 2026 nga Burgu i Durrësit drejt IEVP Peqin, burgut të sigurisë së lartë. Burime bëjnë me dije se mes të burgosurve që u transferuan janë edhe ata që janë arrestuar gjatë Operacionit ‘Ura’ dhe Revansh.
Kjo lëvizje vjen dy ditë pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit. Arratisja ndodhi mesditën e 13 janarit, në Spitalin e Durrësit. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga 2 policët që e ruanin te dera e dhomës spitalore, por gjatë këtij momenti i sulmoi dhe u arratis.
Plani i arratisë ishte i mirorganizuar pasi në dalje të spitalit të Durrësit e priste një “Audi A7”, me targë të vjedhur ditët të para të këtij viti. Sipas të dhënave policore, dyshohet se ky automjet është kapur nga kamerat në autostradën Durrës-Tiranë duke bërë të mundur kështu edhe ushtrimin e dhjetëra kontrolleve në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë mbrëmjes së të martës forca të shumta policie ushtruan kontrolle edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Krajen të Lezhës, por edhe në disa vende ku ai dyshohet se ka njerëz të besuar, ndërkohë që në fakt ende është e dyshimtë fakti që policia të ketë informacion të saktë mbi mjetin me të cilin mund të ketë lëvizur i arratisuri, pasi sipas informacioneve konfidenciale ka dyshime që numri i personave të përfshirë në realizimin e planit të Ndocit është i madh.



