Besimtarët myslimanë në Pukë kanë zgjedhur këtë vit një mënyrë simbolike për të falur namazin e Kurban Bajramit, duke u mbledhur në rrënojat e xhamisë së fshatit Kabash, 59 vite pas shkatërrimit të objekteve të kultit nga regjimi komunist.

Ceremonia u zhvillua mes atmosferës së lutjeve dhe kujtimeve për të kaluarën, ndërsa pjesëmarrësit e konsideruan këtë si një rikthim te tradita dhe identiteti fetar i zonës.

Myftiu i Pukës, Gëzim Kopani, gjatë mesazhit të tij u lut për paqe, mirësi dhe begati për të gjithë besimtarët. Ai theksoi se organizimi në rrënojat e xhamisë kishte edhe një domethënie tjetër, atë të rikthimit të vëmendjes te fshatrat e braktisur ndër vite dhe nxitjes së banorëve për t’u rikthyer pranë vendlindjes së tyre.

Bashkë me besimtarët myslimanë, kremtimeve të Kurban Bajramit iu bashkuan edhe besimtarë katolikë të zonës, duke përcjellë mesazhe vëllazërie dhe harmonie mes komuniteteve.

Në Kabash të Pukës, Kurban Bajrami, festa që në thelb bart solidaritetin dhe bashkëjetesën me tjetrin mori kuptimin e vërtetë të simbolikës mijëravjeçare.