Një video e publikuar në kanalin më të ndjekur të New York-ut, “ABC7”, dhe më pas e ripostuar nga disa media shqiptare, ka tronditur rrjetin pasi në pamje shfaqet një grua, e cila dyshohet se është këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku.

Ajo duket se është duke marrë ndihma nga një qendër vullnetarizmi që ofron ndihma për nënat dhe fëmijët në nevojë, përfshirë çanta shpine me ushqime dhe produkte të tjera. Në kronikën e televizionit amerikan, gruaja identifikohet si një “backpack recipient”, term që zakonisht përdoret për të përshkruar të pastrehët që marrin ndihmë humanitare.

Duke iu referuar videos, shumë janë habitur nga ngjashmëria e gruas me Parashqevi Simakun, veçanërisht për shkak të zërit dhe pamjes së saj. Për më tepër, në video shfaqet një emër që ngjason me atë të këngëtares, “Simaku Nolfe”, i cili ka nxitur dyshime të shumta.

https://www.facebook.com/simaku.nolfe.1

Pas kërkimit të këtij emri, është zbuluar një llogari në Facebook me këtë emër, dhe po, ajo është vetë Parashqevi Simaku. Ajo ka publikuar foto të saj aktuale dhe imazhe të vjetra nga rinia e saj, që vërtetojnë se kjo është e njëjta këngëtare e njohur.

Familjarët e këngëtares, që jetojnë në Kavajë, kanë reaguar lidhur me këtë video, duke deklaruar se ata kanë humbur kontaktet me Parashqevi Simakun prej pesë vitesh. Ata thonë se e konsiderojnë të humbur dhe se po e kërkojnë pa ndalim. Sipas tyre, këngëtarja është divorcuar vite më parë dhe ka humbur çdo kontakt me familjen. Burri i saj ka kujdestarinë e djalit dhe ka vazhduar jetën e tij.