Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar organizimin e një Panairi të Punës në Athinë më 2 mars 2025, një aktivitet që synon të lidhë drejtpërdrejt bashkatdhetarët shqiptarë në Greqi me kompanitë shqiptare në sektorë si ndërtimi, turizmi dhe inovacioni.
Në rubrikën e tij të komunikimit me qytetarët, “Sy m’sy”, Rama theksoi se panairi do të jetë një mundësi e madhe për ata që duan të gjejnë punë në Shqipëri, qoftë për pozicione sezonale apo kontrata afatgjata. Ai shtoi se gjithë informacioni mbi vendet e lira të punës do të jetë i disponueshëm edhe në një faqe web, duke lehtësuar aplikimin për ata që nuk mund të marrin pjesë fizikisht.
“Kemi një panair të madh në Athinë me 2 mars, në një ditë të gjatë me shumë aktivitete ku synojmë të vëmë në kontakt të drejtpërdrejtë shumë kompani shqiptare të Shqipërisë në ndërtim, turizëm, inovacion me bashkatdhetarët tanë në Athinë edhe më gjerë mbase. Gjithë materiali do jetë në dispozicion edhe në një faqe web online, ku të gjithë mund të hyjnë dhe të shohin mundësitë që janë për të lidhur kontrata pune, qoftë sezonale për truizmin, ose vjetore qoftë në turizëm, ndërtim ose fusha të tjera”, u shpreh Rama.
Panairi do të shërbejë si një urë lidhëse mes tregut të punës në Shqipëri dhe shqiptarëve në emigracion, duke ofruar mundësi të reja punësimi dhe rikthimi për ata që dëshirojnë të investojnë aftësitë e tyre në vendlindje.
