Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave nis shkëmbim informacioni me institucionet ndërkombëtare
Shpërthimi i skandalit “Panama Papers” dhe dalja në dritë e dokumenteve që zbulojnë përfshirjen e individëve dhe kompanive nga Shqipëria kanë vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse.Burime konfidencale i thanë “Top Channel” se Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave ka nisur hetime intensive dhe është duke shkëmbyer informacione jo vetëm me organet vendase të zbatimit të ligjit, por edhe me institucionet homologe ndërkombëtare.
Në dokumentet e “Panama Papers” rezulton se nga Shqipëria janë të përfshira 2 kompani, 3 përfitues dhe 22 pronarë aksionesh. Njëra prej kompanive e zbuluar është GFI, shoqëria që ka koncesionin e markimit të karburanteve.
Emrat e tjerë pritet të publikohen gjatë muajve në vijim. Burime nga Drejtoria kundër Pastrimit Parave thonë se çdo individ apo kompani shqiptare e përfshirë do të kalojë në sitën e hetimit për veprën e pastrimit të parave.
Sipas këtyre burimeve, në fokus të hetimeve do të jenë veprimet bankare të kryera nga këto kompani dhe individë, por edhe aktiviteti i tyre financiar. Parajsat fiskale kanë qenë gjithmonë nën vëzhgimin e veçantë të organeve që hetojnë krimet financiare.
Por skandali i fundit “Panama Papers” ka vënë në lëvizje thuajse të koordinuar të gjitha agjencitë botërore kundër pastrimit të parave, luftës kundër evazionit dhe njësitë antikorrupsion.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan zyrtarisht nisjen e procedimit penal për 200 shtetasit amerikanë emrat e të cilëve figurojnë në dokumentet e “Panama Papers”, ndërkohë që agjencitë e taksave në Spanjë, Kanada dhe Britani u kanë kërkuar gazetarëve që disponojnë dokumentet t’u vënë në dispozicion listën e plotë të individëve dhe kompanive që vijnë nga këto vende.