Dy mjete lundruese janë përplasur mesditën e së dielës në det, pranë gjirit të Kakomesë, në vendin e quajtur “Bukajeto”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10, ndërsa shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta.

Mjetet, të dyja tip skafi plastik, u goditën gjatë lëvizjes për shkak edhe të valëzimit, duke lënë të plagosur tre turistë të huaj.

Menjëherë pas sinjalizimit, u realizua një operacion i koordinuar shpëtimi nga Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe Policia Kufitare Sarandë. Për shkak të terrenit, ambulanca nuk mund të futej deri në Kakome, ndaj personat e dëmtuar u transportuan fillimisht me mjet lundrues të Policisë Kufitare dhe më pas me ambulancë drejt urgjencës së spitalit të Sarandës.

Të plagosurit janë:

Charlotte Ann Richards, 23 vjeç, shtetase australiane

Alit El Haj Sofian, 27 vjeç, shtetas francez

Bionne Catherine, 25 vjeç, shtetase franceze

Mjekët e spitalit të Sarandës konfirmojnë se të tre turistët janë jashtë rrezikut për jetën.

Koordinimi i shpejtë mes strukturave detare dhe policisë kufitare bëri të mundur që operacioni i shpëtimit të përfundojë me sukses dhe pa pasoja fatale.