Duke nisur nga mbrëmja e sotme dhe përgjatë të paktën 48 orëve në vijim, vendi do të përfshihet nga reshje intensiove dhe të dendura shiu, me erëra të forta, por në disa zona priten edhe reshje dëbore.

Në një mbledhje të zhvilluar sot me 12 prefektët e qarqeve dhe kryetarët e bashkive që konsiderohen zona me rrezikshmëri të lartë për përmbytje, u theksua nevoja për një bashkërendim dhe koordinim periodik mes pushtetit vendor dhe ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme, ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me qëllim përballimin e situatës dhe shmangien e sa më shumë dëmeve.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u kërkoi kryebashkiakëve të qyteteve që pritet të goditen më shumë nga moti i keq, që të kërkojnë numrin e nevojshëm të eskavatorëve të krahë të gjatë dhe automjete të larta.

““Besoj se të gjithë prefektët janë të vetëdijshëm që kemi një dritare veprimi tani për të marrë ende disa masa parandaluese deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme. Dua vëmendjen e të gjithë kryetarëve të bashkive të cilët kanë situata problematike me përrenj të cilëve nuk u janë bërë prita lumore të domosdoshme, me vendodhje fshatrash të cilat kanë ose situata grykëderdhjesh ose situata ku ngushtohet shtrati për efekt të një ndërhyrje urbane siç ka Vaidejë specifikisht. Menjëherë pas kësaj mbledhjeje t’i transmetonit qoftë Ministrisë së Mbrojtjes, AKMC-së, qoftë kolegëve të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Bujqësisë nevojat për mjete ekskavatorë me krahë të gjatë që keni. Elementi i dytë, nevoja për mjete të kalueshmërisë së lartë”,- tha Vengu.