Një zjarr është regjistruar në një pallat shumëkatësh në lagjen Gjevdet Nepravishta, pranë spitalit në Lushnje, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është konstatuar fillimisht nga banorët, të cilët kanë vënë re tymin dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse të Lushnjes ka bërë të mundur izolimin e flakëve në një apartament në katin e tretë, duke shmangur përhapjen në banesat e tjera.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit.
Paraprakisht dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. Burime policore bëjnë me dije se pronari i banesës, një shtetas rreth 40 vjeç, dyshohet se i ka vënë flakën apartamentit në disa zona dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas të njëjtave burime, ai dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor. Aktualisht, forcat e policisë janë angazhuar në kërkimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

