Konventa
Pak orë nga fjalimi i famshëm, të dhëna të reja të papunësisë krijuan shqetësim
Presidenti Barack Obama mbajti fjalimin më të rëndësishëm në fushatën e tij për rizgjedhje, duke ndezur zemrat e mbështetësve me fjalë të fuqishme e me argumente prekëse, por pak orë pas fjalimit të tij, të dhënat e papunësisë i dhanë një goditje.
Obama u tha amerikanëve se kishin një zgjedhje të rëndësishme për të bërë më 6 nëntor, që sipas tij, do të përcaktojë të ardhmen e amerikanëve dhe fëmijëve të tyre. Kryefjala e tij ishte që kandidati republikan Romney nuk kishte ide të qarta mbi ekonominë dhe se Amerika po ecën në drejtimin e duhur, pavarësisht se Presidentit i duhen edhe katër vjet të tjera për të zgjidhur “telashet” që trashëgoi nga koha e republikanëve.
Ndërkohë, ekonomia amerikane shënoi vetëm 96 mijë vende të reja pune të krijuara gjatë gushtit, një shifër shumë zhgënjyese kjo, pasi SHBA-ja ka nevojë për më shumë se 200 mijë vende të reja pune në muaj për të zgjidhur problemet shoqërore të vendit. Tani tregjet presin që Rezervat Federale të nisin një valë të re të “Lehtësimit Sasior”, termi modern i përdorur në kohën e parasë elektronike dhe që nënkupton prodhimin e dollarëve të rinj. Në SHBA, interesat e parasë janë aktualisht zero, por kjo nuk ka mjaftuar për të rikthyer ekonominë në rritje.
Shifrat e gushtit qenë gjithashtu zhgënjyese, për faktin se rreth 300 mijë amerikanë të regjistruar më herët si punëkërkues, dolën nga lista pasi u ranë shpresat se mund të gjenin punë. Aktualisht 63.5 për qind e amerikanëve kanë një punë ose janë në kërkim të një pune, shifër kjo më e ulëta e shënuar që nga viti 1981. Aktualisht vlerësohet se SHBA-ja ka nevojë për 4.7 milionë vende pune për të mbyllur humbjet e pësuara nga recesioni.
Obama përballet me garën për rizgjedhjen e tij me një situatë shumë të vështirë ekonomike, por pavarësisht kësaj ka arritur të qëndrojë në lojë, duke qenë kokë më kokë në garë me kandidatin republikan Mitt Romney. Obama i ka varur shpresat te vota e latinëve dhe të rinjve, ndërsa gjatë konventës u përpoq të tërhiqte votuesit e shtresës së mesme të bardhë, duke lidhur miqësi me ish-presidentin Bill Clinton. Ky i fundit mbahet mend për tetë vjet të shkëlqyera nga pikëpamja ekonomike dhe programe sociale të gjera që joshnin shtresën e mesme me idenë e ëndrrës për të blerë shtëpi përmes kredive të lira.