Papunësia mes të rinjve konsiderohet si potencialisht shpërthyese në Greqi e Spanjë


Papunesia ne eurozoneNorma e papunësisë në vendet anëtare të Eurozonës shënoi një rekord të ri shumëvjeçar në nivelin 11.8 për qind në nëntor, gjë që bën që mbi 26 milionë burra dhe gra në Bashkimin Europian të jenë të papunë, njoftoi dje Eurostat. Në krahasim me një vit më parë, numri i të papunëve është rritur me 2 milionë vetë. Vendet e veriut vijojnë të shënojnë papunësinë më të ulët Spanja dhe Greqia, papunësinë më të lartë. Madje, në Gjermani norma e papunësisë ka shënuar rënie në krahasim me një vit më parë dhe aktualisht është në nivelin 5.4 për qind.


Në dy vendet më të rëndësishme për emigrantët shqiptarë, Greqia dhe Italia, papunësia shënoi edhe rritjen më të madhe në krahasim me vitin 2011, megjithëse në Itali norma e papunësisë raportohet e stabilizuar në nëntor në krahasim me tetorin. Në Greqi vlerësohet se ka mbi 600 mijë shqiptarë, ndërsa Instituti Italian i Statistikave raporton se shqiptarët në këtë vend janë 482 mijë vetë.


Më shumë se gjysma e të rinjve nën 25 vjeç janë të papunë në Greqi dhe Spanjë, ndërsa në Itali, të papunë janë 37 për qind e të rinjve.


BBC raporton se tendenca e përgjithshme e papunësisë në Eurozonë mbetet në rritje, gjë që e bën më të vështirë për qeveritë e këtyre vendeve të mbledhin më shumë taksa për të stabilizuar borxhet e veta.


Eurozona po vuan me recesion, ndërsa qeveritë kanë marrë masa për të reduktuar borxhet publike, gjë që ka ndikuar në ritmin e rritjes së ekonomisë. Gjithsesi, Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, tha dje se ai besonte se më e keqja ka kaluar. Ai shtoi se pika e kthesës ndodhi në shtator kur Banka Qendrore Europiane vendosi të blejë sasi të pakufizuara borxhesh nga vendet anëtare, gjë që i ndihmoi vendet në krizë të marrin hua më të lirë. Por sipas këndvështrimit të një qendre kërkimore në Britaninë e Madhe, kjo masë ka blerë kohë, por nuk e ka zgjidhur në tërësi problemin.


“Është e qartë se kriza ekonomike në shumë vende anëtare vijon me përmasa shqetësuese”, tha kryeekonomisti Graeme Leach.


Shqetësimi kryesor është fakti se një nivel kaq i lartë papunësie mes të rinjve krijon kushte për trazira sociale.


Ekonomistja e Rabobank, Jan Foley, tha se rritja e papunësisë “është ana tjetër e reformave të kursimeve dhe atyre strukturore”.


“Ka një panoramë shqetësuese të krijuar nga këta numra dhe qeveritë duhet të vrasin mendjen nëse kanë nevojë për më shumë strategji pro rritjes ekonomike përgjatë viteve të ardhshme”, i tha ajo BBC.


Norma e papunësisë në eurozonë qe vetëm 7.2 për qind në shkurt 2008, para se të fillonte kriza botërore.