Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tre vrasje është arrestuar në Shtetet e Bashkuara pas afro tre dekadash arrati, ndërsa autoritetet zbuluan se ai kishte jetuar për vite me identitet të rremë dhe kishte siguruar edhe shtetësi britanike.

Sipas autoriteteve amerikane dhe mediave britanike, bëhet fjalë për 50-vjeçarin Sokol Hoxha, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij 19-vjeçare në Belgjikë dhe të dy vëllezërve në Patos në vitin 1997.

Hetimet tregojnë se ai kishte hyrë në Mbretëria e Bashkuar duke u paraqitur si refugjat kosovar, çka i mundësoi të përfitonte azil dhe më pas shtetësi britanike. Më vonë, ai u transferua në SHBA, ku jetonte prej vitit 2012 nën një tjetër identitet dhe kishte arritur të siguronte status të ligjshëm qëndrimi.

Arrestimi u krye në qytetin Kettering, në shtetin e Ohajos, pas një hetimi gjashtëvjeçar të zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve amerikane dhe europiane.

Sipas deklaratës së Shërbimit të Marshallëve amerikanë, rasti konsiderohet një shembull i bashkëpunimit ndërkombëtar për kapjen e personave në arrati, edhe pas shumë vitesh.

Mediat britanike raportojnë se ndaj Hoxhës kishte dy njoftime të Interpol për tre vrasjet, ndërsa ai ishte dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e dyfishtë në Patos.