Studimi
Ekspertja e Institutit Europian, Rustemi: Punonjësit socialë të shpërndahen sipas nevojës
Shpresa Mezini
Kushtet në dhomat e paraburgimit në disa raste lënë shumë për të dëshiruar. Mungesa e mjekëve psikiatër apo e sektorit të kujdesit social janë 2 nga problematikat që ndeshen sot në sistemin e paraburgimit në tërësi. Të paktën këto janë konkluzionet e arritura nga Instituti Europian i Tiranës.
Jorida Rustemi, eksperte në Institutin Europian të Tiranës thotë se është e ndjeshme mungesa e stafit të kujdesit social. Për rrjedhojë ajo propozon riorganizimin apo shpërndarjen e punonjësve socialë sipas nevojës.
Evidentimi i kësaj problematike u bë dje gjatë një konference me temë: “Ligji i ri për shëndetin mendor – arritjet dhe sfidat”.
“Në fushën e sistemit të paraburgimit në vend numërojmë regrese e progrese, ndonëse këtë të dytën rrallë. Regresin e shoh në disa aspekte. Për shembull në mungesën e komunikimit dinjitoz mes stafit të sigurisë dhe të paraburgosurve, në mungesën e donatorëve, fondeve dhe në shpërndarjen e zhdrejtë të stafit social, i cili nuk shërben në përputhje me nevojat. Sivjet nuk kemi konstatuar raste dhune, por nga informacionet tona, dimë që këto raste janë ende të pranishme, vetëm se nuk shfaqen në sytë tanë”, tha Rustemi. Ajo shton se problematika shtrihet edhe më tej, me shprehjet e preferencave. “Është për të ardhur keq kur mëson se në aktivitetet sportive marrin pjesë vetëm ata të paraburgosur, të cilët janë të preferuarit e stafit të sigurimit. Një tjetër shqetësim mbeten mënyrat që ato përdorin përballë të paraburgosurve. Ne të gjithë e dimë që rregulli është rregull dhe që duhet zbatuar, por duhet gjetur mënyra e zbatimit të tij. Po përmend këtu të zgjuarit herët, dritat ndezur gjatë orarit të gjumit apo mbipopullimin në dhoma”, theksoi ekspertja e Institutit Europian të Tiranës.
Pothuajse të njëjtën problematikë ngrenë edhe përfaqësuesit e zyrës së Avokatit të Popullit, të cilët sqarojnë se nga vëzhgimet e bëra rezulton se nuk janë respektuar rekomandimet e tyre, pasi në burgje ushtrohet ende dhunë. Ata bëjnë me dije se qendrat e paraburgimeve më të mbipopulluara e problematike në vend mbeten Vlora dhe Elbasani.
Ky takim u zhvillua nga Instituti Europian i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Avokatin e Popullit, ndërsa kishte edhe pjesëmarrës të huaj, të cilët përcollën eksperiencat e vendeve të tyre, si një shembull që do t’i shërbente sistemit të paraburgimit në vendin tonë.