Parakalimi në mënyrë të gabuar me makinën e punës i ka kushtuar jo vetëm gjobën efektivit që e drejtonte në tunelin e Rugës së Arbrit gjatë një parakalimi të gabuar të filmuar dhe publikuar në rrjetet sociale, por edhe një hetim disiplinor për të.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër

Në lidhje me një tjetër  video të postuar ditën e djeshme në rrjetin social “JOQ Albania”, ku shfaqet një automjet policie duke kryer parakalim brenda në një nga tunelet e rrugës së Arbrit, pas verifikimit të kamerave është bërë i mundur identifikimi i targës së automjetit të Policisë që i përket Komisariatit të Policisë Bulqizë, me drejtues punonjësin  e Policisë, Inspektor D.D

Për shkeljen e kryer, Policia Rrugore e Dibrës i ka vendosur masën administrative me vlerë 40.000 lekë të rinj dhe drejtuesit të automjetit i janë zbritur 15  pikë nga Leja e Drejtimit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale nisur nga shkelja e kryer e cila ka impakt negativ te qytetarët dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës, në zbatim të Nenit 121, Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, ndaj  drejtuesit të automjetit inspektor D.D dhe Shefit të Komisariatit të Policisë Bulqizë Kryekomisar E.P,  ka nisur hetimin disiplinor, për shkelje të rëndë;  “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi” dhe “Keqpërdorimi i atributeve/ kompetencave të policisë”, 

Policia e Shtetit  falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë dhe çdo paligjshmëri tjetër duke ju garantuar reagim të shpejtë e profesional.