Një ngjarje e mundshme kriminale është ndaluar në Vlorë, ku një 39-vjeçar është arrestuar pasi është përfshirë në një konflikt me një person tjetër, ndërsa ka qenë i armatosur me pistoletë dhe fishekë.
Shtetasi me inicialet A. Sh., i cili u kap nga shërbimet e Policisë, u përpoq të fshihte armën e zjarrit në një lulishte pasi e kuptoi se po kontrollohej. Policia e arrestoi menjëherë dhe sekuestruan pistoletën që ai mbante me vete.
Njoftimi:
Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale.
Arrestohet një 39-vjeçar që u konfliktua me një shtetas, për motive të dobëta, dhe mbante me vete 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë.
Sekuestrohet pistoleta.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit për një konflikt në ambientet e një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë”, kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e tij.
Si rezultat i veprimeve të shpejta u kap shtetasi A. Sh., i cili sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të fshehë në një lulishte, armën e zjarrit pistoletë që mbante me vete.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ishte konfliktuar me shtetasin B. J., 30 vjeç, banues në Vlorë, në ambientet e një lokali, për motive të dobëta.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi A. Sh., 39 vjeç, banues në Vlorë, u arrestua në flagrancë, ndërsa pistoleta me municiom u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke reaguar me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.
