Në seancën e së mërkurës të dosjes “Veliaj” në Gjykatën e Posaçme, SPAK i kërkoi gjykatës kalimin në gjykim të çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe 29 të bashkëpandehurve. Kërkesa u lexua nga vetë titullari i SPAK, Altin Dumani, përfaqësues i prokurorisë në këtë çështje.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i kërkoi të mërkurën Gjykatës së Posaçme të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe 29 të bashkëpandehurve të tij. Kryebashkiaku i izoluar prej shkurtit nuk ishte i pranishëm në seancën e shqyrtimit paraprak, ku përfaqësohej nga avokatët mbrojtës.
Nga ana e tij, në rolin e përfaqësuesit të SPAK në këtë proces, për 3 orë e 30 minuta titullari Dumani, i parashtroi gjykatës kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykimin në themel.
Sipas SPAK, kryebashkiaku duhet të gjykohet për pesë vepra penale, “korrupsion”, “pastrim të parave”, “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, “futje të sendeve të ndaluara në burg” dhe “shpërdorim të detyrës”, të dyshuara si të konsumuara në 13 episode kriminale.
Kryebashkiaku Veliaj është i pari në listën me 30 të pandehur në total të dosjes, nga të cilët 18 janë persona fizikë dhe 12 të tjerë, shoqëri tregtare dhe OJF, të marrë të pandehur në cilësinë e personave juridikë. Për nëntë rastet e dyshuara të korrupsionit kërkohet të gjykohet edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, ndaj të cilës rëndojnë te vepra penale.
Të bashkëpandehur të tyre, janë edhe një sërë biznesmenësh, vartës të Xoxës në shoqëri apo OJF të drejtuara prej saj, si edhe ish-deputetja e PS Klotilda Bushka.
Pas kërkesës së SPAK, gjyqtarja paraprake Etleva Deda, i kaloi fjalën mbrojtësve, por avokati i Veliajt, Artan Gjermeni, kërkoi kohë të konsultohej me klientin e tij. Kërkesa u vlerësua si e ligjshme nga gjykata, që vendosi të ndërpresë seancën dhe të vijojë atë më 17 nëntor.
Gjatë shqyrtimit paraprak gjykata mund të vendosë kalimin në gjykim të dosjes, kthimin e saj në SPAK për plotësim të hetimit, ose pushimin e saj.
