Prokuroria e Fierit ka sekuestruar 17 pasuri të tre personave të dyshuar për pastrimin e parave, të cilët janë nën akuzën e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Personat e përfshirë janë A.H., K.H. dhe M.H., dhe pasuritë që janë sekuestruar dyshohet se janë përdorur për të pastruar paratë e përfituara nga aktivitete kriminale të zhvilluara jashtë Shqipërisë, kryesisht në Itali.
Operacioni u realizua pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar nga autoritetet shqiptare, të cilat kanë arritur të zbulojnë një rrjet të organizuar pastrimi parash që përdorte pasuri të paligjshme për të fshehur burimin e të ardhurave. Autoritetet dyshojnë se pasuritë e sekuestruara, përfshirë prona dhe biznese të ndryshme, janë përdorur si mjet për të mbuluar burimin kriminal të të ardhurave, duke i dhënë atyre një pamje legale.
Hetimet për këtë çështje janë ende në vazhdim, dhe Prokuroria e Fierit ka njoftuar se do të intensifikojë kontrollet dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohen të kenë lidhje me aktivitete të ngjashme kriminale.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:
Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, sekuestroi pasuritë e shtetasve A.H. K.H., dhe M.H., si dhe shoqëritë në posedim të tyre të cilat dyshohet se përdoreshin si mjet për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.
Hetimet mbi procedimin penal nr.323, të vitit 2025, regjistruar për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, i nisur mbi bazën e të dhënave të përcjella nga Sektori për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nisën pas dyshimeve se shtetasit, A. H, A. H, nëpërmjet familjarëve dhe shoqërive tregtare në posedim të tyre, ishin përfshirë në veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.
Nga hetimet u dokumentua fakti se shtetasi A. H, në datë 24.05.2016, është arrestuar, pasi gjykata e apelit Milano/Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim. “Mbajtja e paligjshme e drogës” në bashkëpunim parashikuar nga legjislacioni Italian. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vendimin e datës 26.05.2016, caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, në funksion të ekstradimit të këtij shtetasi të proceduar në Itali, në kuadër të një grupi krimal i cili, paratë e fituara nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve i dërgonin në Shqipëri nëpërmjet linjave të autobuzëve për udhëtarë. Nga shqyrtimi i Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, rezulton se, shtetasi A.H, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet Italiane, për veprën penale “Përfitimi i të ardhurave që burojnë nga aktivitetet kriminale drogë”, parashikuar nga nenet 110 dhe 648 të Kodit Penal Italian.
Sipas të dhënave paraprake ende në verifikim hetimet e autoriteteve italiane tregojnë se, grupi kriminal i drejtuar nga shtetas shqipëtarë, pjesë e së cilës ishte dhe A. H, ka dërguar në Shqipëri miliona euro të fituara në trafik droge, në periudha të ndryshme kohore. Këto para, dyshohet transportohen përmes linjave të autobusit Itali-Shqipëri apo nëpërmjet shoferëve të kamionëve të transportit ndërkombëtar.
Në datë 13.06.2024, është kapur në flagrancë shtetasi J. Xh, i punësuar si shofer në subjektin “A. T.”, i cili bente linjën Fier – Siçili, që posedonte vlera monetare të cilat dyshohet se i ka sjellë nga Italia. Po kështu, në të njëjtën datë është kapur shtetasi A. L, i punësuar si shofer në shoqërinë A. T”, teksa sillte nga Italia vlerën 89.390 Euro. Shtetasi A. L, ka deklaruar se punon si shofer autobuzi në kompaninë “A. T” që prej 5 vitesh dhe bën linjën Shqipëri-Itali. Vlerën monetare të gjetur deklaron se ia ka dhënë një shtetas Italian në stacionin e Katanias për ta transportuar në Shqipëri kundrejt një pagese të caktuar që është një përqind e shumës.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se në pronësi të shtetasëve A.H, A.H, A.H, M.H dhe K.H, rezultojnë në pronësi krahas pasurive të paluajtshme dhe shoqëri tregtare të organizuar në formën e shoqërive me përgjegjësi të kufizuar. Nga administrimi i kësaj prove, rezultoi se shtetasi A.H, ka dhënë në formë huaje tek shoqëria “A” sh.p.k vlera të konsiderueshme që nuk dokumentojnë origjinën e kësaj shume.
Mbështetur në këto të dhëna, Prokuroria vlerësoi se jemi në kushte e aplikimit të masave me karakter pasuror bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar dhe kërkoi vendosjen e sekuestros mbi pasuritë e paluajtshme dhe e shoqëritë tregtare në zotërim të subjekteve si më poshtë:
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të A. H, M. H;
1) Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 135.60 m2, me vendodhje Bashkia-Fier;
2) Pasuria pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 127 m2, me vendodhje Bashkia-Fier;
3) Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 59 m2, me vendodhje Bashkia-Fier;
4) Pasuria e llojit njësi me sipërfaqe 17.10 m2, me vendodhje Rr “Dritan Hoxha”, Tiranë;
5) Pasuria pasuri e llojit njësi me sipërfaqe 31 m2, me vendodhje Rr “Gjergj Arianiti”, Vlorë;
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A.” Shpk.,
1) Pasuria e llojit tokë arë me sipërfaqe 3949 m2, në lagjen Sheq i Madh-Fier;
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “A I” shpk.,
1) Pasuria llojit tokë arë me sipërfaqe 1971 m 2, në lagjen Sheq i Madh-Fier;
2) Pasuria e llojit tokë arë me sipërfaqe 3926 m2, në lagjen Sheq i Madh-Fier
3) Pasuria tokë arë me sipërfaqe 2942 m2, në lagjen Sheq i Madh-Fier;
4) Pasuria e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3931 m2, në Sheq i Madh-Fier;
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në emër të K. H, si më poshtë:
1) Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 55 m2, Bashkia Fier;
2) Pasuri me sipërfaqe 137 m2, e llojit apartament Bashkia Fier;
Sekuestrimin e kuotave të shoqërive tregëtare në zotërim të individëve objekt verifikimi:
1) Sekuestrimin e kuatoave të shoqërisë “A” sh.p.k;
2) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A T” sh.p.k;
3) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A” sh.p.k;
4) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “A ”, sh.p.k;
5) Sekuestrimin e kuotave të shoqërisë “M.T” sh.p.k.,
Prokuroria është duke verifikuar mbi pasuri të tjera të subjekteve të dyshuara dhe lidhjet e tyre me persona të tretë, të cilat po nënshtrohen verifikimeve. Rezulton se vlerat monetare të cilat ka dyshime se janë injektuar në shoqëritë tregtare dhe pasuritë në zotërim të personave objekt verifikimi është disa milionë euro. Ndërkohë që sipas raportit të ekspertit kontabël kanë rezultuar në një bilanc negativ për individët dhe shoqëritë tregtare.
