Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Bërdallë të Lezhës, ku 25-vjeçari Romario Brunga u gjet i vrarë me një plumb në makinë ne tij.

Sipas gazetares Brixhilda Deda, e cila raportoi për “Shqipëria Live”, i riu kishte parkuar makinë e tij vetëm pak metra larg banesës dhe dyshohet se brenda saj ka kryer vetëvrasje. Pista e vrasjes është hedhur poshtë pasi i riu kishte një plumb në ballë, në një pozicion që tregonte se nuk mund të ishte qëlluar nga dikush tjetër, e po ashtu, kishte mbetje plumbi në dorën e tij.

Kanë qenë vetë prindërit e të ndjerit që e kanë gjetur atë të vdekur, duke lajmëruar më pas dhe policinë.

“I riu u gjet i pajetë vetëm pak metra larg banesës së tij, ku kishte parkuar makinën e tij. Fatkeqësisht kanë qenë vetë prindërit ata që e kanë gjetur të riun të vdekur, e më pas kanë lajmëruar policinë. Vëllai i tij, por edhe kolegë e shokë kanë deklaruar se ai nuk ka pasur probleme apo konflikte, e gjithashtu nuk ka shfaqur shenja depresioni që mund ta çonin drejt aktit të rëndë”- tha gazetarja.