Parlamenti Europian ka miratuar ditën e sotme raportin për Shqipërinë me 483 vota pro dhe 103 kundër. Mësohet se gjatë votimit u miratuan amendamentet 15, 16, 3, 5 dhe 17, ndërsa u rrëzuan amendamentet 8, 7, 10, 11, 12, 13, 1, 4, 6, 14 dhe 2. Në raportin përfundimtar, ngrihen disa shqetësime që lidhen kryesisht me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, por gjithashtu edhe me lirinë e medias dhe sulmet ndaj gazetarëve. Po ashtu, mes të tjerat, ngrihet shqetësim edhe për ligjin mbi zonat e mbrojtura, për të cilin qytetarë të shumtë janë ngritur në protesta duke kërkuar shfuqizimin.
Më herët, raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Shider deklaroi se Shqipëria një sukses i zgjerimit të BE. Sipas tij, Shqipëria është favorite për tu anëtarësuar në BE, dhe vullneti i saj politik po e tregon këtë.
“Shqipëria është tashmë një hap përpara në Bashkimin Evropian, sepse gjëja e veçantë, që mund të thuhet për të, madje receta e suksesit, është fakti se më shumë se 90% e popullsisë e mbështesin anëtarësimin në BE dhe spektri politik po ashtu e mbështet. Shqipëria ka treguar një angazhim të jashtëzakonshëm ndaj modelit të Bashkimit Evropian. Hapja e të gjitha grupkapitujve të negociatave brenda 13 muajve dëshmon vullnetin politik për të çuar përpara reformat. Kjo është arsyeja pse jam i bindur se Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian”, tha ai.
