Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar nisjen e mbledhjes së firmave për organizimin e një referendumi kundër Hartës së re Territoriale, e miratuar mbrëmjen e kaluar në Kuvend.
Në një deklaratë për mediat, Berisha bëri të ditur se opozita do të shqyrtojë procedurat për zhvillimin e referendumeve lokale dhe kombëtare, me qëllim kundërshtimin e reformës.
“Ne kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum. Do të studiojmë modalitetet e referendumeve lokale dhe kombëtare, për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë nga një bandë, organizatë kriminale që quhet parlament”, deklaroi ai.
Lideri i opozitës akuzoi deputetët e mazhorancës se, përmes votimit të zhvilluar pas mesnatës, kanë vepruar kundër interesave të qytetarëve të 15 bashkive. Ai e cilësoi vendimin si një akt të rëndë politik, duke pretenduar se vota e deputetëve është ndikuar nga korrupsioni dhe interesat personale.
Berisha vuri në dukje rëndësinë e reformës territoriale për komunitetet dhe qeverisjen vendore, duke argumentuar se organizimi i njësive administrative ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, investimet, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ruajtjen e identitetit të zonave.
Sipas tij, miratimi i Hartës së re Territoriale përbën një goditje ndaj 15 bashkive dhe qytetarëve që ato përfaqësojnë.
“Deputetët e partisë së krimit, në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre. Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjësimin e 15 bashkive”, u shpreh Berisha.
